OKB: Heqja e sanksioneve varet nga përmbushja e angazhimeve ndërkombëtare nga talebanët

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në lidhje me heqjen e sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ndaj talebanëve tha se heqja e sanksioneve varet nga përmbushja e angazhimeve ndërkombëtare nga talebanët, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën vjetore për media, Guterres theksoi se në këtë fazë është kategorikisht e nevojshme të formohet komunikim me talebanët.

Lidhur me shqetësimet për rrënimin e ekonomisë së Afganistanit, Guterres bëri të ditur se janë ngrirë asetet e vendit por që rrënimi ekonomik nuk do të jetë në interesin e askujt dhe se për këtë duhet të gjendet një rrugë që me disa përjashtime të “injektohen para” në ekonominë afgane.

I pyetur nga gazetari i AA-së se “A duhet të heqë Këshilli i Sigurimit të OKB-së sanksionet ndaj anëtarëve të talebanëve përfshirë edhe ministrat në qeverinë e përkohshme?”, Guterres tha:

“Fillimisht do të jetë pozitive që tani në Afganistan të formohet një qeveri gjithëpërfshirëse dhe që kjo qeveri të ketë parasysh që të eliminojë shqetësimet tona në çështjet për respektimin e angazhimeve ndërkombëtare, për çështjet e terrorizmit dhe të drejtat e njeriut. Të gjitha këto sigurojnë normalizimin e marrëdhënieve të komunitetit ndërkombëtar me Afganistanin”.

“Këto janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe nga mënyra se si do të zhvillohen. Aktualisht angazhimi me talebanët është i nevojshëm dhe ndihmat humanitare janë padyshim përparësia jonë. Këshilli i Sigurimit të OKB-së sigurisht që do të jetë i detyruar të rishikojë vendimet e tij dhe mendoj se këtë do ta bëjë duke pasur parasysh se si do të zhvillohet situata në Afganistan”, tha Guterres.

“Paralajmërimi se po fillon një trend ku pushtetet po kapen me forcë”

Guterres tërhoqi vëmendjen se marrja e kontrollit në vend me rrugë ushtarake nga talebanët, mund të inkurajojë disa grupe në vende të ndryshme të botës. “Po fillojmë të shohim një trend të rrezikshëm ku pushtetet po kapen me forcë”, potencoi ai.

Duke bërë të ditur se terroristët kanë filluar të fitojnë terren në vende të ndryshme, Guterres tha se “Kam shqetësim se shumë vende nuk janë të gatshme të luftojnë me këtë (terrorizmin)”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button