NP “Parkingjet e Qytetit” Tetovë, për gjashtë muaj ka humbur mbi 22.000 euro (Infografik)

Ndërmarrja Publike “Parkingjet e Qytetit”, Tetovë ka punuar në humbje edhe gjashtëmujorin e parë të këtij viti, dallimi mes të hyrave dhe të dalave është 1.363.000 denarë apo mbi 22.000 euro. Nga kjo ndërmarrje thonë se shkaktari kryesorë i kësaj humbjeje është situata me pandeminë ku në muaj prill dhe maj për shkak të orës policore NP “Parkingu i Qytetit” ka punuar me orar të shkurtuar. Sipas këshilltarëve opozitar komunal Hatije Azizi Etemit dhe Arif Selamit ndërmarrja gjithmonë ka punuar në humbje edhe pse nuk ka harxhime të mëdha, shkruan Portalb.mk.

Edhe këtë vit, gjegjësisht gjashtë mujorin e parë të vitit Ndërmarrja Publike “Parkingjet e Qytetit” Tetovë ka punuar në humbje, dallimi në mes të hyrave dhe të dalave është 1.363.000 denarë. 

Në dy tabelat më poshtë mund të shihen në mënyrë të detajuar të hyrat dhe të dalat e NP “Parkingjet e Qytetit”, sipas raportit financiar nga po kjo ndërmarrje.

  • Periudha nga 01.01.2021-31.03.2021:
Raporti Financiar i NP "Parkingjet e Qytetit" për periudhën nga 01.01.2021-01.04.2021
Raporti Financiar i NP “Parkingjet e Qytetit” për periudhën nga 01.01.2021-01.04.2021

Dallimi mes të hyrave dhe të dalave në NP ”Parkingu i Qytetit Tetovë” për periudhën 01.01.2021-31.03.2021 është -463.571,00 denarë.

  • Periudha nga 01.04.2021-30.06.2021:
Raporti Financiar i NP "Parkingjet e Qytetit" për periudhën nga 01.04.2021-30.06.2021
Raporti Financiar i NP “Parkingjet e Qytetit” për periudhën nga 01.04.2021-30.06.2021

Dallimi mes të hyrave dhe të dalave në NP ”Parkingu i qytetit Tetovë” për periudhën 01.04.2021-30.06.2021 është  -899.368,00 denarë.

Gjithsej prej 1 janarit deri më 30 qershor ndërmarrja ka pësuar humbje 1.363.000 denarë.

Nga kjo ndërmarrje humbjen e arsyetojnë me situatën e pandemisë.

“Shkaktari kryesor i kësaj humbjeje është situata me pandeminë. Në muaj prill dhe maj për shkak të orës policore NP “Parkingu i Qytetit” ka punuar me orar të shkurtuar gjë që drejt për së drejti ka ndikuar në zvogëlimin e të hyrave, veç kësaj edhe  kur nuk kishte kufizim të plotë lëvizja qytetarëve ishte shumë më e vogël”, thanë nga NP “Parkingjet e Qytetit”.

Të pyetur nga Portalb.mk se a kanë ndonjë plan konkret për të zgjidhur këtë çështje nga ndërmarrja thanë se presin që zgjerimi i parkimit zonal të kontribuojë për të mbuluar humbjet si dhe ende janë në pritje të kredisë.

“Për mbulimin e humbjeve mendojmë se do të ketë ndikim zgjerimi i parkimit zonal i cili është në proces, po punuohet për zgjerimin e zonës për parkim në rrugën T.C.Merxhan dhe rrugën Strasho Pinxhur , zonat A3 dhe B2, po ashtu për kredinë presim përgjigje prej bankave. Si dhe po planifikojmë të bëjmë zgjerim edhe të zonave të tjera të parkingut” thanë nga NP “Parkingjet e Qytetit”.

Por, pavarësisht arsyetimit të ndërmarrjes, sipas të dhënave që ka siguruar Portalb.mk, kjo ndërmarrje ka punuar me humbje edhe kur nuk ka pasur kufizime anti-kovid. Në infografikun e mëposhtëm mund t’i shihni të dhënat për tremujorin e parë të 2020 dhe të dhënat në gjashtëmujorin e vitit 2021.

Opozita thotë se kjo ndërmarrje edhe pse nuk ka harxhime të mëdha, gjithnjë punon në humbje

Hatije Azizi Etemi, këshilltare nga radhët e Lëvizjes Besa
Hatije Azizi Etemi, këshilltare nga radhët e Lëvizjes Besa

Këshilltarja komunale, nga Lëvizja Besa, Hatije Azizi Etemi tha se ky është i vetmi sektor që punon në humbje por njëkohësisht është edhe më fitim prurësi që ka të hyra të mëdha dhe nuk ka aspak harxhime materiale përveç mirëmbajtjes.

“Vazhdimisht kërkojnë hua marrje që ne si këshilltarë të Lëvizjes Besa çdo here kemi kërkuar arsye për të njëjtën ndërsa përgjegjësit e sektorëve e hedhin fajin sa andej e këndej duke mos na dhënë asnjëherë përgjigje konkrete as në mënyrë të folur as edhe me shkrim”, tha Etemi.

Arif Selami, këshilltar nga radhët e Aleancës për Shqiptarët.
Arif Selami, këshilltar nga radhët e Aleancës për Shqiptarët.

Arif Selami, këshilltar nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, tha se komuna edhe pse tenton te garantojë, bankat nuk kanë mëshirë por ato ju besojnë statistikave sepse Komuna e Tetovës është gjithmonë në borxhe dhe nuk është e besueshme andaj edhe askush nuk I jep hua borxhliut të madh.

“Unë pyeta se si do e kthejnë borxhin, kur nuk kanë punuar. Ata u arsyetonin se ka pasur orë policore dhe se nuk ka funksionuar parking. Pastaj i pyeta si do I mblidhni paratë për kredinë kur vazhdimisht jeni në humbje, më thane se shpresojnë që do punojnë. Nëse vazhdimisht punon me humbje, nuk dihet si të menaxhohet me hyrjet dhe daljet, nuk dihet sit ë mblidhe paratë, ka bordin udhëheqës dhe këshilltar financiar që paguhen me të majme, ka mbi 60 të punësuar, më mire të mbyllet dhe mos ja rritin borxhin Komunës dhe qytetarët do jenë më të kënaqur, se sa me këtë paaftësi të gjithë të jenë të pakënaqur, dhe komunës ende më shumë ti rritet epiteti negative”, tha Selami.

Ku shkojnë paratë e Ndërmarrjes Publike “Parkingu i Qytetit”?

Përveç të hyrave nga pagesat për parking, kjo ndërmarrje ka të hyra edhe nga shërbimi i merimangës. Ku vetëm për gjashtë muaj janë kapur 1000 vetura dhe janë bllokuar rreth 3000 të tjera, por përsëri nuk ka qenë e mjaftueshme për të mbuluar harxhimet e ndërmarrjes. Harxhimet më të mëdha kjo ndërmarrje sipas raportit financiar i ka për rrogat e punëtorëve, mirëmbajtën dhe rregullimin e sistemit të parkingut dhe furnizimi me naftë dhe mirëmbajtja e automjeteve speciale-merimangave.

Nga ndërmarrja “Parkingjet e Qytetit”, për Portalb.mk thanë se në këtë ndërmarrje ka 60 persona të punësuar, pa mos dhënë detaje shtesë.

Rikujtojmë se vitit të kaluar, NP “Parkingjet e Qytetit” kërkoi kredi prej 6 milion denarësh për të mbuluar humbjet nga ndërmarrja. Kjo u miratua në tentativën e dytë nga Këshilli Komunal i Tetovës, por kredia ende nuk është miratuar nga asnjë bankë.

Kjo është ndërmarrja e dytë publike në Tetovë ku këshilli komunal ka miratuar marrjen e kredive nga bankat. Në shtator të vitit të kaluar, këshilli miratoi që Ndërmarrja Publike “Tetova” të marre kredi nga banka me qëllim të paguaje punonjësit, edhe atë bëhet fjalë për një kredi prej 26 milion denarëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button