Sot në Strugë është paralajmëruar protestë paqësore të disa banorëve maqedonas kundër vendimit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), në bazë të së cilit u refuzuan ankesat e partisë maqedonase VMRO-DPMNE për parregullsi në rrethin e dytë zgjedhor në Strugë.
Si që njoftojnë mediat lokale, protesta do të mbahet pasdite.
Ndryshe, KSZH nga 17 kërkesat e paraqitura nga partitë maqedonase miratoi vetëm dy ankesa të cilat janë të pamjaftueshme për të sfiduar fitoren elektorale të kandidatit për kryetar të PDSH-së Ziadin Sela.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Strugë Ziadin Sela fitoi 5494 vota më shumë se kandidati i përbashkët i VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, Vlladimir Koçoski.
KSHZ-ja pranoi dy ankesat e VRMO me arsyetimin se në qendrat e votimit ishin përdorur stilolapsa me dy ngjyra, të zi dhe kaltër.
Ndërkaq, sipas nënkryetarit të KSHZ-së Subhi Jakupi, pas verifikimit të materialeve zgjedhore nga vendvotimet 18-82, 18-85 dhe 19-11, është vërtetuar se në vendvotimin 19-11 është gjetur një fletë votimi nga vendvotimi 18-85, që është konstatuar si falsifikim, si dhe fletë tjetër votimi e gjetur në vendvotimin 18-82. Në njërën nga fletëvotimet ishte rrethuar kandidati maqedonas, ndërsa tek tjetri kandidati shqiptar.
Sipas Jakupit, vota e falsifikuar ka dalë nga një vendvotim nga një fshat maqedonas Vranishtë të Strugës, edhe pse paraprakisht VMRO DPMNE-ja kishte akuzuar se bëhet fjalë për falsifikim dhe parregullsi të organizuar nga shqiptarët.
Ndërkohë Bedredin Ibrahimi, anëtar i KSHZ-së i cili zbuloi skandalin me fletën e votimit theksoi se bëhet fjalë për krim të organizuar dhe falsifikim zgjedhjesh nga ana e maqedonasve e jo shqiptarëve. /portalb