Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi (KPMD) ka konstatuar diskriminim të drejtpërdrejtë të vazhduar ndaj personave me pengesa fizike nga ana e seksionit rajonal të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) në Karposh. KSHZ i mohon akuzat, njofton Portalb.mk.
Sipas informatave nga një person me pengesë fizike, i cili është ankuar që nuk mund ta deponojë nënshkrimin e vet për mbështetje të një liste të caktuar të kandidatëve të pavarur për zgjedhjet lokale, Komisioni ka vendosur të zbatojë kontroll në seksionin rajonal të KSHZ-së në Komunën Karposh, ku është konstatuar që objekti nuk është i adaptuar dhe është i paarritshëm për personat me pengesë fizike. Me këtë, ata nuk mund ta realizojnë të drejtën e tyre për pjesëmarrje në jetën politike dhe publike, thonë nga KPMD.
“Nga kontrolli i realizuar, anëtarët e KPMD konstatuan që në këtë rast bëhet fjalë për infrastrukturë të pa adaptuar e cila këtyre personave nuk u mundëson qasje në objektin e njësisë rajonale të KSHZ-së në Karposh. Me këtë, KSHZ-ja ka pamundësuar qasje dhe arritshmëri në jetën politike dhe publike”, thuhet në njoftimin e Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi.
Gjatë kontrollit, është konstatuar që në hapësirat e zyrës rajonale në rrugën “Strezovo” numër 7 arrihet nëpërmjet pesëdhjetë shkallëve të pjerrëta e të ngushta të cilat nuk janë të adaptuara për persona me pengesë fizike, për persona të moshuar, të pamundur dhe persona të sëmurë.
Në zyrën rajonale të KSHZ-së në Karposh, nënshkrimet për përkrahje të kandidatëve të pavarur dhe anëtarëve të këshillave në komunat e Qytetit Shkup, deponojnë banorët e komunave Karposh, Gjorçe Petrov dhe Saraj.
Nga KSHZ i mohojnë akuzat.
“Lidhur me artikujt e publikuar në disa media se Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi ka përcaktuar diskriminim të vazhdueshëm ndaj personave me aftësi të kufizuara fizike nga zyra rajonale e Komisionit Shtetëror Zgjedhor në Karposh, ju njoftojmë se dhoma ku Zyra Rajonale Karposh është e vendosur nuk është në pronësi të KSHZ-së, por të vetëqeverisjes lokale, dhe ato janë të gjitha kapacitetet objektive që komuna ka në dispozicion dhe që mund të na i kishte dhënë”, thonë nga KSHZ.