Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë caktuar Bekim Pocestan kandidat për kryetar komune në Dibër gjatë Zgjedhjeve Lokale që do të zhvillohen më 17 tetor në të gjitha komunat e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.
“Unanimisht u zgjodh dr.Bekim Pocesta si kandidat per kryetar te Komunes Diber. Bekimi në kohën e duhur ju përgjigj thirrjes sonë, sepse Dibrës i duhen njerëz të ndershëm në një kohë kur korrupsioni është bërë plagë e shoqërisë. Dibrës i duhet ndryshimi që njëherë e mirë të çlirohemi nga presioni politik e njerëzit të jenë të lirë e të vlerësohen për punën e ndershme dhe aftësitë e tyre profesionale”, njoftojnë nga Aleanca për Shqiptarët, parti e cila është në koalicion me Alternativën, duke formuar koalicionin opozitar.
Raportohet që Pocesta ka lindur në Dibër më 28.04.1968, shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, të mesmen e filloi në Dibër dhe e mbaroi në Kumanovë. Fakultetin e Mjeksisë e mbaroi në “Universitetin e Prishtinës”, ndërsa Specializimin për Kardiologji e kreu në Universitetin “Nënë Tereza” në Tiranë.
“Ishte njëri ndër themeluesit e parë të “Bashkimit të Rinisë Demokratike të Maqedonisë”. Ishte kjo një periudhë me shumë aktivitete, protesta dhe demonstrata në Kosovë e Maqedoni në të cilat Bekimi gjithnë ishte aktiv. Si pasojë e këtyre aktiviteteve në vitin 1992 u dënua me dy javë burg të cilin e vuajti në Strugë-qershor të vitit 1992”, theksojnë partia nga biografia e kandidatit.
Dibra në mandatin e fundit është udhëhequr nga BDI përmes Hekuran Dukës dhe Ruzhdi Latës, pasi ky i fundit ndërroi jetë në nëntor të vitit 2018. Në zgjedhjet e fundit lokale BDI-ja ishte në koalicion parazgjedhor me LSDM-në, një koalicion tashmë i paralajmëruar edhe për zgjedhjet e 17 tetorit. Në zgjedhjet lokale të vitit 2017-të, Ruzhdi Lata (BDI) kishte 4 430 vota, ndërsa Arben Agolli (Aleanca për Shqiptarët) 3 918 vota.