Edhe nëse sëmuren, personat e vaksinuar e kalojnë shumë më lehtë Kovid-19 sesa personat e pavaksinuar
Në postimin që po e recenzojmë, duke anashkaluar informacione të rëndësishme, krijohet një përshtypje e gabuar. Edhe nëse ka të infektuar me Kovid-19 pas pranimit të 2 dozave të vaksinës (raste të tilla ka në të gjitha vendet e botës, përfshirë edhe vendin tonë), ato kryesisht manifestohen me një pasqyrë klinike më të lehtë, vdekjet janë të rralla dhe po ashtu edhe hospitalizimi me pasqyrë të rëndë të sëmundjes. Postimi gjithashtu përmban informacione të pavërteta se të vaksinuarit i ekspozojnë ata që nuk duan të vaksinohen ndaj “rrezikut nga një virus vdekjeprurës të mutuar të injektuar tek ato përmes vaksinave, ndërsa të sëmurët kronikë nga vdekja e sigurt”, shkruan Vërtetmatësi.
Po recenzojmë një postim në Facebook në të cilin bëhet tentative për manipulim. Në postim është ndarë informacion se një paciente nga Velesi e vaksinuar me dy doza të vaksinës, ka dalë pozitive në testin për Kovid-19, gjashtë javë pas vaksinimit dhe se ka pasur një pasqyrë klinike mesatarisht të rëndë për shkak të së cilës i është dashur të qëndrojë në spital.
Sinqerisht, unë nuk ndjehem aspak i sigurt pranë të vaksinuarve. Jam i shqetësuar për sigurinë time dhe të familjes time. Të vaksinuarit urgjentisht duhet të karantinohen dhe tu ndalohet liria e lëvizjes. Kjo është e tmerrshme. Kurrëfarë ndërgjegjësimi, aspak njerëzim, kurrëfarë përgjegjësie shoqërore nga të vaksinuarit, është e qartë që na ekpozojnë ndaj rrezikut nga një virus i mutuar e vdekjeprurës që ua kanë injektuar përmes vaksinave, ndërsa të sëmurët kronik ndaj vdekjes së sigurt. Për të gjithë nga vakserët që do vërtetohet se kanë krijuar klaster, duhet të kërkohet përgjegjësi , dhe atë për bioterrorizëm…
P.s. për çdo rast, nëse vërtetohet se vaksina nuk ofron kurrëfarë mbrojtjeje dhe edhe nëse shkakton disa efekte të padëshiruara ose bazë për një infektim më të lehtë dhe me pasoja të rënda, duhet të kërkohet përgjegjësi për mjekim të gabuar dhe gjenocid mjekësor, thuhet në postim.
Por, në postim bëhet manipulim i publikut me anashkalimin e informacioneve të rëndësishme.
Në këtë videо, në sekondën 52, mjekja Lilija Çollakova Dervishova jep një deklaratë në të cilën thotë se gruaja pozitive ndaj Kovidit e që i ka pranuar të dyja dozat e vaksinës kineze (e cila zhvillon imunitet 6 javë pas pranimit të dozës së dytë), ka thënë se ka pasur kontakt me një kolege të pavaksinuar nga Kumanova e cila gjithashtu ka qenë e sëmurë. Prandaj, nuk mund të thuhet ajo që po sygjerohet në tekst, se të vaksinuarit paraqesin rrezik për të pavaksinuarit. Imuniteti kolektiv është kategori që varet nga imunizimi masovik, në të cilin kontribuojnë më shumë individë.
Asnjë nga vaksinat nuk mundëson 100% mbrojtje
„Finacial Times“ ka publikuar se asnjë nga vaksinat nuk është 100% efektive, kështu që ato që shkencëtarët i quajnë ,,infektime sporadike” gjithmonë kanë qenë të pritshme. Në të shumtën e rasteve simptomat janë të buta. E tillë është gjendja edhe në Maqedoni.
Ministria e shëndetësisë informoi se nga gjithsej 330.320 qytetarë që kanë pranuar të dyja dozat e vaksinës, gjithsej 96 kanë rezultuar pozitivë me Kovid-19 pas pranimit të dozës së dytë të vaksinës. Kjo do të thotë se vetëm 0.02 përqind janë infektuar me Kovid, gjë që tregon se sa e rëndësishme është që qytetarët të vaksinohen. Nga 96 pozitivë, 56 janë infektuar më pak se 21 ditë pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës. Kjo, në fakt, do të thotë që infeksioni ka ndodhur para periudhës kohore të nevojshme për të krijuar përgjigjen imunologjike në organizëm. Për shembull, vaksinës Pfizer për të krijuar imunitet i duhen 21 ditë pas dozës së dytë. Vaksinat kineze, të cilat nuk funksionojnë në parimin e mRNA por janë virus i vdekur, kërkojnë rreth gjashtë javë pas pranimit të dozës së dytë. Në intervalin nga pranimi i dozës së dytë deri në zhvillimin e imunitetit, një person duhet të veprojë sikur të mos jetë vaksinuar, sepse përgjigja e tij imunologjike nuk është zhvilluar ende. Këtë e theksoi kryetari i Komisionit për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundjet infektive, Dr. Zharko Karaxhovski, që në fillim të procesit të vaksinimit në një konferencë për shtyp. Vetëm 13 nga të vaksinuarit me Kovid-19 pas pranimit të të dy dozave të vaksinës kanë pasur nevojë të shtrohen në spital. Në vendin tonë, një person pozitiv me Kovid-19 ka ndërruar jetë edhe pse ka qenë i vaksinuar me të dyja dozat e vaksinës, por bëhet fjalë për një person 62 vjeçar me tre komorbiditete, si sëmundje të veshkave, të zemrës dhe me hipertension.
Personi ka ndërruar jetë në spitalin në Tetovë, udhëheqësi i të cilit, mjeku Gzim Nuredini tha se për shkak të imunitetit të kompromentuar, tre javë pas pranimit të dozës së dytë tek i ndjeri nuk është krijuar imunitet, që nuk do të thotë se njerëzit nuk duhet të vaksinohen. Thjesht ka njerëz me imunitet të dobët.
Sipas Financial Times, faza e tretë e testimit klinik të vaksinave kund;r Kovidit tregon efikasitet kundër infeksionit simptomatik me mbi 90 përqind. Në kushte reale, në Mbretërinë e Bashkuar, Izrael dhe Kanada, vaksinat demonstrojnë efikasitet pak më të ulët se ato në studimet klinike, mbase për shkak të përhapjes së llojit delta të koronavirusit.
Vlerësimet për mbrojtjen nga infeksioni simptomatik varësisht nga vaksina sillen nga 60 deri më 90 përqind, sipas „Financial Times“. Sipas Institutit të shëndetit publik në Angli, 17 përqind e 105,598 rasteve me llojin delta të raportuara në Angli janë në mesin e personave që kanë pranuar të dyja dozat e vaksinës.
Маnipulimi
Por cili është manipulimi në postimin që po e recenzojmë? Përpjekja e pasuksesshme për të barazuar rrezikun e shtrimit në spital dhe vdekshmërinë dhe pamjen e rëndë klinike të të vaksinuarve dhe të pavaksinuarve me një shembull të vetëm, i cili sipas statistikave të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë, është një përjashtim, jo një rregull!
Ne ende nuk kemi një trajtim 100 përqind efektiv, por kemi disa qëndrime të qarta se vaksinimi është qasja më e mirë për ta mundur epideminë. Lajmet dhe historitë për efektet anësore të llojeve të ndryshme të vaksinave kanë qenë ciklike. Cila do vaksinë që bëhej e disponueshme dhe e njohur menjëherë lidhej me disa histori të frikshme, shumë prej të cilave ishin krejtësisht të pabaza. Këto histori janë shfaqur dhe do të shfaqen, nuk pres që ato të rreshtin, por në gjithë këto miliona dhe madje miliarda njerëz të vaksinuar, kur i analizojmë numrat e shohim se këto janë raste jashtëzakonisht të rralla – thа prof. dr. Aleksandar Petliçkovski nga Instituti i imunologjisë dhe gjenetikës njerëzore, në një tribunë me temë „Vaksinimi dhe sfidat me Kovid-19“.
Edhe „Financial Times“ në analizën e tij të fundit ai vë në dukje se shumë pak nga personat e vaksinuar me dy doza të vaksinës e që janë pozitivë me Kovid zhvillojnë pasqyrë të rëndë klinike! Vaksina Pfizer mbron deri më 96 përqind nga hospitalizimi, ndërsa vaksina Astra Zeneka 92 përqind. Sipas analizës së Financial Times rreziku nga vdekja tek një person 80 vjeçar që i ka pranuar të dyja dozat e vaksinës është i barabartë si rreziku tek një 50 vjeçar i pavaksinuar.
Në analizë bëhet kjo analogji:
Rreth dy të tretat e njerëzve që vdesin në aksidente rrugore në Mbretërinë e Bashkuar mbajnë rrip sigurimi, por kjo është për shkak të niveleve të larta të përdorimit të rripit të sigurisë prej 99 përqind. E njëjta logjikë vlen edhe për faktin se ka më shumë njerëz të vaksinuar në mesin e të infektuarve – kjo ndodh sepse gjithnjë e më shumë njerëz janë të vaksinuar, pra diapazoni i vaksinimit është i lartë.
Nga Universiteti „Vanderbilt” thonë se njerëzit që kanë simptoma të lehta dhe të pakëndshme, nëse nuk do të ishin vaksinuar ndoshta do të kishin një sëmundje serioze!
Sa herë që pacientët më ankohen se kanë një formë të lehtë të sëmundjes pavarësisht se janë vaksinuar, unë u them atyre se jam i lumtur që ata janë akoma gjallë e mund të ankohen, thotë doktor Schaffner.
Vakserë, antivakserë, Kovid-19
Postimi gjithashtu përmban informacione të pavërteta se të vaksinuarit i ekspozojnë ata që nuk duan të vaksinohen ndaj “rrezikut nga një virus vdekjeprurës të mutuar të injektuar tek ato përmes vaksinave, ndërsa të sëmurët kronikë nga vdekja e sigurt“.
Vaksina nuk përmban asnjë pjesë të gjallë ose aktive të virusit Kovid-19. Nuk do të shkaktojë test pozitiv me të cilin testohet infeksioni aktiv me KOVID-19. Disa njerëz që kanë marrë vaksinën kanë raportuar efekte anësore të buta deri në të moderuara, si dhimbje në vendin e injektimit, lodhje, dhimbje të kokës dhe dhimbje të muskujve. Jo të gjithë kanë efekte anësore. Por, nëse paraqiten, ato janë normale dhe shenjë se trupi juaj po krijon mbrojtjen e tij kundër virusit, shpjegohet në faqen zyrtare të vaksinimit vakcinacija.mk në lidhje me mitin : Vaksinimi do më sëmurë nga virusi korona.
Pikërisht sepse ka njerëz që infektohen me Kovid pavarësisht se i kanë pranuar të dyja dozat e vaksinës, ky është një sinjal që shkalla e vaksinimit që duhet arritur, domethënë, shkalla e mbulimit të imunizimit është e lartë, rreth 90 përqind,” tha Keith Yates, një biolog në Universitetin Bath.
Pa vaksinat, numri i të hospitalizuarve në Angli do të ishte mbi maksimunim dimëror që u arrit gjatë kulminacionit vitin që shkoi!
Për shkak të të gjitha argumenteve të paraqitura, në postimin që po e recenzojmë, duke anashkaluar informacione të rëndësishme, krijohet një përshtypje e gabuar. Edhe nëse ka të infektuar me Kovid-19 pas pranimit të 2 dozave të vaksinës (raste të tilla ka në të gjitha vendet e botës, përfshirë edhe vendin tonë), ato kryesisht manifestohen me një pasqyrë klinike më të lehtë, vdekjet janë të rralla dhe po ashtu edhe hospitalizimi me paqyrë të rëndë të sëmundjes.