Lista “Më mirë për Tetovën: Zaevi me metoda të regjimit të kaluar po mundohet të pengojë gjithë përfshirjen e qytetarëve në zgjedhje
Edhe lista e pavarur “Më mirë për Tetovën”, ka reaguar në lidhje me ndryshimet e paralajmëruar në Kodin Zgjedhor për rritjen e pragut për pjesëmarrjen e kandidatëve të pavarur në zgjedhjet lokale. Nga kjo listë vlerësojnë se, vendimi i partive të vjetra politike për ndryshim të Kodit Zgjedhor (neni 62) në prag të zgjedhjeve lokale dhe sjelljen e ligjit me procedurë të përshpejtuar në parlament e shohim si kontrabandë tendencioze dhe veprim skajshmërisht jodemokratik, transmeton Portalb.mk.
“Ne jemi thellë të bindur që ky veprim ka për qëllim vetëm mbrojtjen e interesave të partive të vjetra politike dhe parandalimin e iniciativave të reja të pavarura qytetare si dhe aktivistëve civilë që janë të gatshëm të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale, për të ndryshuar gjendjen e degraduar të komunave tona. Partitë në pushtet këtë vendim e morën menjëherë pas shpalljes publike që organizatat si Qyteti i gjelbër human – Shkup, Më Mirë Për Tetovën – Tetovë, Përndryshe – Manastir, Kandidatët e gjelbër – Gazi Babë/Shkup etj do të garojnë me lista të keshilltarëve të pavarur. Kjo është tregues i qartë që partitë e vjetra janë të vetëdijshëme që kanë humbur besimin tek votuesi i pavarur dhe se e kanë të rrezikuar komoditetin për udhëheqje pa përgjegjësi dhe llogaridhënie!”, thuhet në reagimin e tyre.
Në reagim më tej thuhet se, është indikative se partitë e vjetra fillimisht përshëndetën pjesëmarrjen e listave të pavarura në zgjedhje, por me siguri pasi kanë bë anketa interne dhe kanë vërejtur përkrahjen e madhe që këto lista gëzojnë tek qytetarët, ndryshuan strategjinë dhe tani me metoda antidemokratike duan t’u bëjnë pengesa.
“Kryeministri bashkë me partitë tjera, në vend që të adaptojnë modelet e mira të vendeve demokratike si Danimarka, Gjermania, Greqia, Kroacia apo Malta ku pengesat për të garuar në zgjedhje pothuajse janë larguar, ai bën të kundërtën – sheh si t’i pengojë dhe sabotojë ato me procedura të lodhshme burokratike në periudhë të Covid-19, me qëllimin e vetëm për të ruajtur monopolin e partive të vjetra në shoqëri dhe duke përjashtuar gjithpërfshirjen në vendimmarrje të qytetarëve si parim themelor demokratik i të drejtave të njeriut dhe të garantuar edhe me Kushtetutë. Edhe vendet e rajonit nuk kanë pengesa të këtilla të cilat synojnë partitë e vjetra ti implementojnë në Maqedoninë e Veriut. Me këtë Kryeministri aktual, pas dështimit të marrjes së datës për bisedime me BE-në, po lëshohet në një avanturë me tendeca të kamufluara autokratike që na përkujton ish-kryeministrin Gruevski pas samitit të Bukureshtit në 2008”, kanë theksuar nga “Më mirë për Tetovën”.
Qyteti i gjelbër human – Shkup në bashkëpunim me iniciativat tjera dhe në përkrahje të më së paku 20 OJQ-ve në RMV tash më u kanë dërguar letër presidentit Stevo Pendarovski, Europe House Shkup, Misionit të OSBE në Shkup dhe Misioneve Diplomatike në vend, ku kanë adresuar shqetësimet e tyre në lidhje me ndryshimet e paralajmëruara në Kodin Zgjedhor.
Ata kërkojnë që OSBE dhe trupi diplomatik të reagojnë për, siç theksojnë “këtë tentativë të partive për të minuar demokracinë edhe ashtu të brishtë në vend”.
- LEXO: “Qyteti human i gjelbër”: Rritja e pragut për listat e pavarura është goditje për demokracinë
- LEXO: Listat e pavaurua letër drejtuar Pendarovskit, kërkojnë të mos i nënshkruajë ndryshimet e paralajmëruara në Kodin Zgjedhor
- LEXO: Zaev e konfirmoi: Listat e pavarura do të duhet të mbledhin nënshkrime prej 2 përqind nga numri i votuesve