Vodno do të bëhet edhe në pjesën e poshtme me shteg biçikletash për të ndarë plotësisht këmbësorët nga çiklistët
Në Vodno, në fillim të muajit pasues, do të fillojë ndërtimi i shtegut të dytë të biçikletave malore në kuadër të projektit “Parku i biçikletave Vodno”. Pasi rruga përpjetë u lëshua në funksion tetorin e kaluar, tani do të kryhet shtegu i teposhtëm, me qëllim që çiklistët të mund të ngjiten në Vodnon e mesme dhe të zbresin pa pasur kontakt me këmbësorët, transmeton Portalb.mk.
“Me këtë, kompletohet trasea Shkup – Vodno e mesme – Shkup dhe çiklistët do të mund të ngjiten në Vodno dhe të zbresin të sigurt nëpër pyll pa ndonjë kontakt me llojet e tjera të trafikut. Shtegu i ri i biçikletave malore do të jetë i gjatë rreth 3.6 km dhe është krijuar për të ndjekur konfigurimin natyror të terrenit, pa prishur hapësirën natyrore. Me një pjerrësi mesatare prej 6%, shtegu i përket të ashtuquajturës kategori familjare ose e sigurt për përdorim nga të gjitha gjeneratat. Ashtu si në Shtegun e parë të Pionierit, i cili ka për qëllim lëvizjen lart, do të vendoset sinjalizimi i duhur për të shënuar qëllimin dhe drejtimin e tij të lëvizjes”, thotë Marko Todorov, udhëheqës i Sektorit për zhvillimin ekonomik lokal të Qytetit të Shkupit.
Ndërtimi i shtegut të parë, siç thonë nga Qyteti i Shkupit, kontribuoi në rritjen e sigurisë pasi çiklistët lëviznin në të njëjtat rrugë me këmbësorët, kështu që shpesh ndodhnin aksidente.
“Në të ardhmen, planifikojmë të ndërtojmë edhe disa shtigje të tjera të një lloji të ngjashëm në seksionin midis Vodno së Mesme dhe Majës së kryqit. Këtu, shpresojmë në kënaqësi më të madhe në mesin e entuziastëve që janë më seriozisht të përfshirë në këtë sport, është paraparë rrugë biçiklete e çertifikuar e një natyre më ekstreme dhe mundësi për të vendosur Vodnon dhe Shkupin në hartën e çiklizmit profesionale malor, përmes mbajtjes së garave ndërkombëtare”, shtoi Todorov.
Shtegu do të bëhet nga kompania “Alliance ACE” nga Lubjana, Slloveni, ekspertë të biçikletave malore me përvojë 10 vjeçare të cilët kanë punuar në shtigje të tilla në mbi 50 destinacione në të gjithë botën.