Qeveria: Marrëveshja e Ohrit kontribuoi për kohezionin e shoqërisë si të barabartë për të gjithë qytetarët dhe komunitetet

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, sot mbajti mbledhje solemne kushtuar 20 vjetorit të Marrëveshjes Kornizë së Ohrit. Në fjalimin e tij, kryeministri Zaev potencoi se ky përvjetor i rëndësishëm përputhet edhe me 30 vjetorin e pavarësisë së vendit tonë, me 80 vjetorin e kryengritjes popullore dhe me 20 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes për stabilizim dhe asocim, si hap i yni i parë në realizimin e qëllimit tonë të përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Evropian, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri rikujtoi se një nga prioritetet e para në listën e Qeverisë së sapoformuar në vitin 2017 ishte rrumbullakimi i pjesës normative që doli nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit dhe nga Amendamenti 5 nga Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Qeveria e atëhershme, në të cilën ministra ishin edhe një pjesë më e madhe nga kjo, përbërje aktuale e pushtetit ekzekutiv, e plotësoi detyrimin që pa nevojë zgjatej nga të gjitha Qeveritë e mëparshme dhe e miratoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, si dhe me të gjitha ndryshimet e tjera ligjore dhe akte nënligjore për përfshirje të drejtë, u rrumbullakuan dispozitat e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001 dhe me të cilën i’u dha fund konfliktit dhe e cila ishte e pranueshme si garanci që të gjitha çështjet me interes të komuniteteve në vendin tonë do të zgjidhen përmes dialogut dhe përmes institucioneve”, theksoi  Zaev.

Ai theksoi se Marrëveshja Kornizë e Ohrit i dha fund konfliktit i cili me vete mori edhe viktima dhe e cila parandaloi që atdheu ynë i përbashkët të bëhet vend i konfliktit të vazhduar dhe i një shoqërie pa shpresë për një jetë të qetë.

“Në çaste kur bashkëjetesa dhe toleranca ndëretnike u vendosën në testin më të rëndësishëm, treguam se ne problemet do t’i zgjidhim përmes sistemit institucional dhe assesi ndryshe. Treguam se dëshirojmë në pajtim dhe të bashkuar, për të përparuar të gjithë së bashku E gjithë kjo ishte arritur në partneritet të ngushtë me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe OSBE-në. Sot kjo është edhe histori e tyre e suksesshme të cilën e shënojmë bashkërisht”, tha Zaev.

Zëvendëskryeministri dhe minsitër për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi, në fjalimin e tij theksoi se shënojmë përvjetorin e një dokumenti të rëndësishëm i cili solli paqe, ndryshoi Kushtetutën dhe shoqërinë dhe hapi perspektivat euroatlantike.

Zëvendëskryeministri i parë Grubi informoi se në organizim të Qeverisë në këtë mbledhje solemne fillojnë një sërë ngjarjesh me të cilat do të shënohet 20 vjetori i Marrëvehshjes Kornizë të Ohrit “Përtej Ohrit”.

Pas një sërë aktivitetesh në disa qytete në të cilat do të kyçen më shumë institucione, ngjarja qendrore do të mbahet më 13 gusht, në ditën kur u nënshkrua Marrëveshja Kornizë e Ohrit.

Në këtë ngjarje, të organizuar në bashkëpunim me Universitetin Kolumbia nga Nju Jorku, u konfirmua pjesëmarrja e kreut shtetëror, por edhe e miqve nga bashkësia ndërkombëtare, dhe protagonistët që morën pjesë në procesin e realizimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Piter Fejt, Dejvid Slin, Robert Seri, Brenda Pirson, Poll Viliams, Dejvid Filips dhe të tjerë.

Grubi, informoi se në bashkëpunim me këshilltarë të angazhuar nga BE-ja, që punojnë në riorganizimin e administratës shtetërore, është përpiluar Propozim-ligj për punën e Ministrisë për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, i cili do të jetë ndërtuar në një ministri të vogël efektive që do të kujdeset për të drejtat e të gjitha bashkësive, jo vetëm etnike, por edhe të të gjitha përkatësive të mundshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button