Site icon PORTALB

Gjykata i dënoi me gjithsej 25 vjet burg ish kryeparlamentarin, Veljanovski, ish ministrat Janakieski dhe Ristovski dhe shefin e Policisë Sekrete, Atanasov

Foto nga aktgjykimi i rastit 27-prilli, foto: Borçe Popovski

Foto arkiv nga aktgjykimi i rastit 27-prilli, foto: Borçe Popovski

Gjykata Penale e Shkupit i ka shpallur fajtorë të akuzuarit në rastin “Organizatorët e 27 prillit” dhe i ka dënuar me gjithsej 25 vjet burg, njofton Portalb.mk.

Procesi gjyqësor ka zgjatur 1 vit e gjashtë muaj.

Gjykatësi Ilija Trpkov, gjatë shqiptimit të aktgjykimit tha se shteti nuk mbrohet me rrahje të deputetëve, gjegjësisht sipas tij shteti nuk ndërtohet dhe mbrohet me dhunë.

Prokuroria propozoi shqiptimin e masës së paraburgimit, por gjykatësi e la në fuqi masën e arrestit me burg shtëpiak.

Sulmi ndaj Kuvendit dhe rrahja e deputetëve dhe gazetarëve nga ana e protestuesve të iniciativës “Për Maqedoni të përbashkët”, ndodhi më 27 prill të vitit 2017, pasi nga shumica parlamentare, për kryetar të Kuvendit u zgjodh një shqiptar, gjegjësisht Talat Xhaferi. Sulmi ndaj Kuvendit, nga faktori i brendshëm dhe i jashtëm u cilësua si “sulm ndaj demokracisë”.

Sipas Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, të akuzuarit e dinin saktësisht se çfarë po bënin dhe vepruan me qëllimin e vetëm për të parandaluar formimin e një qeverie nga shumica parlamentare e siguruar tashmë.

Procesi gjyqësor për organizatorët e dhunës së 27 prillit në Kuvend filloi në 21 shkurt 2020.

Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion dorëzoi aktakuzën në Gjykatën Penale më 31 maj 2019 ndërsa u pranua më 31 janar 2020.

Në hetim u përfshinë edhe ish-Kryeministrin Nikolla Gruevski dhe ish-zyrtari e inteligjencës Nikolla Boshkovski, por procedura për ta u ndal derisa ata të viheshin në dispozicion të agjencive të zbatimit të ligjit.

Exit mobile version