Simovski për regjistrimin: Emigrimi është shqetësues, frikësohem se në RMV janë rreth 1.5 milionë banorë

Nuk planifikojmë anulim tjetër të regjistrimit të popullsisë. Normalisht, do të varet edhe nga gjendja epidemiologjike, por duke i pasur parasysh informatat e fundit nuk pres se në shtator do të kemi prapë valë të re ashtu siç kishim në mars dhe prill, thotë drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave, Apostol Simovski, në një intervistë për “Utrinski brifing”, njofton Portalb.mk.

“Ajo sigurisht do ta bëjmë është se do t’i respektojmë të gjitha masat për mbrojtje, gjegjësisht do të sillemi në regjistrim si të jetë vala më e madhe e infektimit, duke i respektuar të gjitha masat. Nga ky aspekt, popullata nuk duhet të jetë e shqetësuar. Në shtator presim që të jetë koha e mirë, dhe një pjesë, ku ka mundësi, regjistrimin mund ta bëjmë në ambient të hapur… presim edhe se një pjesë e mirë e qytetarëve të jenë vaksinuar. Janë siguruar vaksina edhe për personelin tonë”, deklaroi Simovski.

Ai nuk pret që nga regjistrimi të regjistrohen më shumë se 1.5 milionë banorë në shtet, pasi që siç thotë ai, trendi i emigrimit është shqetësues. Ai theksoi se vetëm në Gjermani jetojnë rreth 130.000 bashkëqytetarë tanë, a çdo i porsalindur i tretë, lind jashtë vendit.

“Unë asnjëherë nuk kam thënë se vlerësoj se jemi aq, por se frikësohem. Ajo që të gjithëve na shqetëson është se një numër i madh i njerëzve po na emigrojnë. Treguesit që i kemi mbledhur me hulumtimet statistikore në lidhje me lindjet tregojnë se kemi rënie të vazhdueshme të lindjes në vend, derisa rritet lindja jashtë vendit. E gjithë kjo tregon se një pjesë e mirë e popullatës sonë ka emigruar jashtë vendit. Prej këtu është edhe frika ime se numrat e popullatës  janë më të vogla. Të dhënat që i kam parë janë tmerruese. Të dhënat nga enti statistikor gjerman janë se deri në fund të vitit 2020 në Gjermani kemi 128.000 shtetas të RMV-së të cilët qëndrojnë atje, me leje për qëndrim. Ky është numër i madh. Nuk e dimë se sa është numri i personave tanë që kanë prejardhje ng Maqedonia, a kanë shtetësi gjermane, pasi që gjermanët nuk lejojnë shtetësi të dyfishtë, por gjithashtu nuk kemi të dhëna se sa shtetas tanë kanë shkuar atje me pasaportë bullgare, pasi që i vlerësojnë si shtetas bullgar, a numri i tillë është mbi 300.000. Vetëm kjo e dhënë do të ju mendojë. Ku janë shtetet tjera evropiane, vendet tejoqeanit e të tjera. Nga ajo që tani i mbledhim me vetëregjistrimin jashtë vendit, besoni se nuk ka pikë të globit që nuk kemi shtetas tanë”, thotë Simovski.

Paraprakisht, kryeministri Zoran Zaev ka deklaruar se në shtator, do të mbahet regjistrimi i popullsisë dhe se nuk i intereson aspak se sa janë maqedonas, shqiptarë, turq, romë, vllehë, boshnjakë.

Afati i zbatimit të këtij procesi të rëndësishëm pritej të jetë prilli i këtij viti. Megjithatë, përmes pazareve politike, Zaev dhe Mickoski, pa konsultim edhe të partive shqiptare opozitare, vendosën që ta shtyjnë këtë proces dhe të zhvillohet nga 5 deri më 30 shtator. Partitë shqiptare nga ana tjetër, nuk ishin aspak faktor për shtyrjen ose mos-shtyrjen e këtij procesi. Zaevi, përmes një bisede telefonike e informoi Ahmetin për vendimin që kishin marrë me Mickovski, kurse kreu i BDI-së vetëm i shtoi “aminin”.

Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është realizuar në vitin 2002. Dhjetë vjet më vonë apo në vitin 2011, ai nuk u mbajt për shkak të përplasjeve mes partive politike shqiptare dhe maqedonase, mbi mënyrën e realizimit, përkatësisht për përfshirjen ose jo të qytetarëve që janë jetojnë përkohësisht jashtë vendin, e që shumica prej tyre janë shqiptarë. Ishin shpenzuar dy milionë euro, ndërsa pati edhe një procedurë parahetimore kundër dy drejtuesve të koalicionit të atëhershëm qeveritar, Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit për ndërprerjen e regjistrimit, por kjo procedurë ka përfunduar pa epilog gjyqësor.

LEXO: Zaev: Në shtator do ta bëjmë regjistrimin e popullsisë dhe nuk më intereson aspak sa maqedonas, shqiptarë apo turq janë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button