Pas skandalit të ministres, Pendarovski e vlerësoi si lajm të mirë përfundimin e presidencës portugeze në Bashkimi Evropian

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski e ka quajtur lajm të mirë përfundimin e presidencës gjashtëmujore të Bashkimit Evropian, të udhëhequr nga Portugalia, raporton REL. Reagimi i Pendarovski erdhi pas një deklarate të sekretares për çështje evropiane të Portugalisë, Ana Paula Zakarijash se “gjuha e Maqedonisë së Veriut dikur ka qenë pjesë e gjuhës bullgare dhe dimensioneve kulturore të të dy vendeve”.

Deklarata e zyrtares së lartë portugeze erdhi në kohën kur Sofje nuk hoqi dorë nga vetoja për bllokimin e nisjes së bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE.

“Nga historianët që merren me politikë, më të këqij janë vetëm ata që përpiqen të interpretojnë epoka historike. Mua sinqerisht më vjen keq për deklaratën e gabuar të ministres portugeze, e cila varrosi të gjitha përpjekjet që kolegu i saj nga qeveria e njëjtë Silva i bëri disa muaj me radhë që në fund të presidencës gjashtëmujore të dalë me një propozim të shkëlqyer dhe të balancuar që mbante llogari për interesat vitale nacionale edhe të Maqedonisë së Veriut, edhe të Bullgarisë. Lajmi i mirë është që presidenca portugeze përfundoi”, ka deklaruar presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski pas takimit në Zagreb me presidentin e Kroacisë, Andrej Milanoviq.

Pendarovski tha se beson në mbështetjen e Sllovenisë e cila e merr presidencën e radhës me BE-në, në gjashtë muajt e ardhshëm.

“Sllovenia është një ndër avokatët më të mirë të rajonit, njeh mirë mentalitetin dhe turbulencat nëpër të cilat kanë kaluar vendet”, ka deklaruar Pendarovski.

Presidenti kroat, Andrej Milanoviq ndërkohë publikisht ka mbështetur Maqedoninë e Veriut madje në deklaratën me mediat, këtë shtet e ka quajtur Maqedoni, me emrin e vjetër kushtetues.

“Është gabim dhe e pamoralshme që të kontestohet identiteti, e drejta e gjuhës dhe e emrit. Deklarata e Sekretares shtetërore të Portugalisë është rezultat i injorancës dhe pakujdesisë. Unë nuk dua të jem i pakujdesshëm në deklaratat e mia, sepse mund të dëmtojë Maqedoninë. BE ka kohë që nuk është një komunitet i disa vlerave universale, por i disa ngjashmërive dhe sa më shpejt që këtë, do të ecim drejt BE-së. Nëse nuk e kuptojmë, do të kthehemi, sepse BE-ja ka linjat e veta se deri ku mund të shkojë. Sigurisht që nuk mund të shkohet përtej linjave të shteteve kombëtare”, ka deklaruar Milanoviq.

Në nëntor të vitit 2020, Bullgaria bllokoi nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, duke e kushtëzuar me arritjen e marrëveshjes në lidhje me kërkesat e saj për identitetin dhe gjuhën maqedonase.

Sofja nuk e konteston identitetin maqedonas pas vitit 1945, por kërkon nga Shkupi që të pranojë se gjuha dhe identiteti, para kësaj periudhe, kanë pasur “rrënjë bullgare”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button