Kur mësohesh me refuzimin

Do të ishte gënjeshtër të thuhet se vetoja e djeshme e Bullgarisë nuk ishte zhgënjim. Por ky zhgënjim ka filluar moti, dhe tash më sikur jemi mësuar, sikur e kemi tejkaluar shokun e herës së parë kur Bashkimi Evropian i rrëzoi të gjitha pritshmëritë se do të jepet një datë për fillimin e negociatave aderuese për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ishte ky viti i largët 2019 kur Franca në krye me Makronin e vendosi veton e saj. Si francezë që janë, ata bile refuzuan ta quajnë veto dhe u munduan ta karakterizojnë veprimin e tyre me ca eufemizma gjuhësore të cilat në asnjë moment nuk e relativizuan atë që ndodhi vërtet. Në kohën kur u nënshkrua marrëveshja e Prespës, në kohën kur u zgjodh një problem që zgjati me dekada, në kohën kur u bënë ndryshimet kushtetuese edhe në Maqedoninë e Veriut lidhur me emrin, edhe në Shqipëri lidhur me vetingun, na u tha se e gjithë kjo nuk mjafton. Bashkimi Evropian harxhoi muaj të tërë duke përgatitur metodologjinë e re të zgjerimit për të kënaqur kërkesat e Makronit, ndërsa në ndërkohë, u hapën mundësitë e reja për të vendosur pengesa të mëtejshme.

Gjermania që është gjatë kohë shtysa kryesore e zgjerimit shprehu dje pakënaqësi të madhe lidhur me këtë proces. Michael Rot protestoi zëshëm për atë që çështjet bilaterale i pengojnë proceset e zgjerimit për kaq gjatë kohë. Po ashtu SHBA shprehën zhgënjim për këtë çështje duke theksuar që këto shtete i përmbushën obligimet, e megjithatë mbetën të zhgënjyer. Miqtë kryesorë të të dy shteteve e kuptojnë rëndësinë e këtij procesi, dhe prandaj është i dukshëm frustrimi i tyre, sepse edhe SHBA edhe Gjermania e shohin shumë qartë tablonë e gjerë të rajonit dhe i njohin shumë mirë rreziqet që kanosen aty. E vetë Bashkimi Evropian nuk arrin ose nuk dëshiron ta shohë këtë gjendje dhe nuk arrin ta kuptojë sa shumë vlen ajo datë e fillimit të negociatave për ne që e presim tash e sa vite, e sa pak gjëra ndryshon ajo datë për vetë BE-në në këtë moment.

Kush përfiton nga vetoja e Bullgarisë dhe nga vendimi i fundit për të mos e mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare për RMV dhe Shqipërinë? Përfitojnë vetëm ato forca të cilat janë të interesuara Ballkani Perëndimor të mbetet një kaos i përjetshëm, që gjërat aty të mos rregullohen asnjëherë. Përfitojnë atë forca të cilat të gjitha ndryshimet pozitive në rajon i kanë sabotuar me vite e dekada, dhe janë tërësisht të interesuar për kthimin ose përforcimin e regjimeve jo liberale në këtë rajon. Përfitojnë ato forca të cilat dëshirojnë që vlerat perëndimore dalë ngadalë të veniten. Këto forca llogarisin pikërisht në inertësinë e Bashkimit Evropian për të përmbushur premtimet dhe për të treguar fleksibilitet ndaj rajonit, e veçanërisht ndaj shteteve të cilat kanë bërë ndryshime drastike për tu rivendosur në binarët e integrimeve evropiane. Dhe kjo intertësi e Bashkimit Evropian assesi të ndrysdhojë, assesi të relaksohet.

Mosmbajtja e premtimeve është shembull i keq dhe mesazh shumë negativ që u jepet qytetarëve të cilët gjatë gjithë këtyre viteve kanë përkrahur ndryshimin dhe politikat pro-perëndimore. Neglizhenca e tillë u jep të drejtën euro-skeptikëve dhe pro-totalitarëve të thonë me cinizëm: “Ju thamë që nuk ia vlen kjo punë!”.

Problemi kryesor qëndron te mungesa e alternativës. Për qytetarët që besojnë thellësisht në vlerat pro-perëndimore alternativë tjetër përveç integrimit në BE nuk ka. Mungesa e alternativës e bën frustrimin ende më të madh.

Kur mësohesh me refuzime të njëpasnjëshme, lëshohesh ngadalë në një gjendje apatie. Njeriu mësohet me të mirën dhe me të keqen, me trajtim adekuat dhe me trajtim të padrejtë. Njeriu mësohet me gjithçka dhe vepron në hapësirën ku mund të manovrojë. Në këto raste dy drejtime janë të mundshme. Drejtimi që më herët kemi marrë gjatë refuzimit ka qenë ndryshimi i tërësishëm i politikës dhe largimi i plotë nga rruga e integrimit. Drejtimi që tani duhet ta marim është të qëndruarit stoik dhe të palëkundshëm në rrugën tonë. Stoicizmi na mëson se nuk duhet të humbim baraspeshën as kur na ndodhin gjëra të këqia e as kur na ndodhin gjëra të mira në jetë, që duhet të jemi indiferentë ndaj si ndaj dhimbjes ashtu edhe ndaj kënaqësisë. Duhet të punojmë për të pasur një baraspeshë të vazhdueshme, të bazuar në arsye dhe jo në emocione. Gjendja e këtillë e apatisë pas refuzimeve të njëpasnjëshme është plotësisht e përshtatshme për të na kthyer në stoikë. Por në Ballkan stoicizmi rrallë herë ka mbizotëruar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button