Mariçiq: Zaev ka vlerësim real para vizitës së nesërme në Sofje, ka ndryshime në bisedimet

“Po bëjmë përpjekje të mëdha në dialog, kryeministri ka vlerësim real”, deklaroi ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq para vizitës së nesërme të kryeministrit Zoran Zaev në Sofje me qëllim, siç informuan nga Qeveria, intensifikimin e përpjekjeve për gjetjen e zgjidhjes për çështjet e hapura dhe zhbllokim të integrimit evropian të vendit, transmeton Portalb.mk.

Sipas Mariçiqit, ka ndryshim në bisedimet.

“Ajo çka është ndryshe prej më herët është se ka komunikim intensiv mes Shkupit dhe Sofjes. Bullgaria ka kuptuar se kjo është çështje serioze, se këtu bëhet fjalë për testin e politikës evropiane dhe jo vetëm për raportet bilaterale mes Maqedonisë dhe Bullgarisë”, tha Mariçiq për “Utrinski brifing.

Kryeministri dhe delegacioni qeveritar nesër do të realizojnë takime pune në Sofje me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, me kryeministrin e Bullgarisë Stefan Janev, si dhe me përfaqësues të partive më të mëdha politike në Bullgari.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut, i ka përmbushur kushtet dhe ka marrë dritë jeshile për fillimin e negociatave me BE-në. Megjithatë, ky proces ka mbetur në vend numëro pasi Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perëndimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te anëtarët e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button