Site icon PORTALB

RMV, në mënyrë eksprese arritën 30.000 vaksinat “Sinovak” nga Turqia

Vaksinat kineze "Sinovak"

Sot në Maqedoni arritën 30.000 vaksina nga kompania kineze “Sinovak”, të dhënë si donacion nga Turqia, njoftoi në Facebook Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, transmeton Portalb.mk.

“Sot, 30.000 vaksina “Sinovak” mbërritën si një donacion nga Turqia mike. Edhe një herë, unë dua të shpreh mirënjohjen time për Republikën e Turqisë dhe Presidentin Rexhep Tajip Erdogan për mbështetjen e tyre, por mbi të gjitha, për shpërndarjen e shpejtë të sasisë së premtuar, e cila është shumë e rëndësishme për ne”, shkroi Filipçe.

Vaksinat do të shpërndahen në pikat e vaksinimit në të gjithë vendin sa më shpejt të jetë e mundur, njoftoi ai.

Përndryshe, në pikat e vaksinimit në vend, përfshirë ditën e djeshme, janë vaksinuar gjithsej 250,813 qytetarë. Gjatë ditës së djeshme, janë vaksinuar gjithsej 10,556 qytetarë, ndërsa prej tyre, dozën e parë të vaksinës e morën 1,455 qytetarë,  njoftuan nga Ministria e Shëndetësisë.

Në tërë territorin e shtetit janë aplikuar gjithsej 410,711 doza vaksinash, kurse 159,898 qytetarë janë rivaksinuar.

Numri i personave që kanë shprehur dëshirë për vaksinim përmes ueb platformës vakcinacija.mk është 444,89.

Sipas shifrave të fundit, të paktën një dozë të vaksinës e kanë marrë 48 përqind e popullsisë mbi moshën 70 vjeç, 42 përqind e popullsisë mbi moshën 65 vjeç dhe 35 përqind të popullsisë mbi moshën 60 vjeç.

Exit mobile version