RMV, Ahmeti tregon se sa komuna synon BDI-ja t’i fitojë në zgjedhjet lokale
F. I.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti në intervistë për TV21 tregoi se në sa komuna synon të fitojë partia e tij në zgjedhjet lokale që duhet të mbahen në tetor të këtij viti, Portalb.
Ahmeti nuk precizoi se sa komuna do të fitojnë, duke theksuar se po punojnë për të fituar.
“Ne punojmë që të fitojmë. Ne do të punojmë, por do të varet nga qytetarët. Do të varet prej vullnetit të qytetarëve, do të varet se sa do të pranohet platforma dhe agjenda e Bashkimit Demokratik për Integrim, por ne punojmë me të gjitha kapacitetet që të fitojmë komunat, tha ai.
Se kur do të dalë në debat me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela, Ahmeti deklaroi që ata fillimisht të përcaktojnë s ekush është përfaqësues i opozitës e pastaj do të dalë në debat në zgjedhjet lokale.
I pyetur se kë do të kandidojë BDI-ja në Kërçovë, Ahmeti tha se është duke pritur sondazhet dhe ai i cili do të këtë mbështetjen e opinionit do të kandidohet.
Kujtojmë që për Komunën e Kërçovës, deri më tani kandidaturën e kanë shpallur, Xhevdet Spahiu dhe Fatmir Limani.
Se si po ecën bashkëqeverisja me LSDM-në dhe Zaevin, Ahmeti theksoi se pavarësisht dallimeve që i kanë me këtë parti, ata kanë komunikim të përhershëm.
“Nuk më kujtohen të gjitha dallimet dhe tani po bëhen pesë vite bashkëqeverisje. Ta zëmë, mund të kemi dallime lidhur me hapat që duhet bërë zgjidhje për t’a përmbyllur çështjen me Bullgarinë ose çështjen e reformave që duhet të përshpejtohet në gjyqësor”, shtoi Ahmeti.