Site icon PORTALB

Tetovë, politika lë qendrën e fëmijëve pa psikolog

Qendra ditore, Tetovë

Qendra ditore, Tetovë

Në qendrën ditore për fëmijë me aftësi të veçanta në Tetovë mungojnë pedagogu dhe psikologu.  Për 25 fëmijët me nevoja të veçanta në këtë qendër përkujdesen dy punëtorë social, një defektolog dhe katër motra medicinave por nuk plotësohet nevoja e tyre e domosdoshme për të pasur psikolog dhe pedagog theksojnë nga kjo qendër.

Edhe pse nuk pranuan të theksojnë publikisht, problem për mungesën e tyre qëndron në atë se për plotësimin e kuadrit i cili mungon duhet që qendra për punë sociale në Tetovë të marrë pëlqim nga Ministria e financave. Deri më tani kjo ministri nuk e ka miratuar këtë kërkesë ndërsa mbeten të pakapshëm për të sqaruar arsyet pse.

 “Disa nga fëmijët janë në gjendje të vështirë dhe padyshim që atyre ju duhet një trajtim i veçantë gjithashtu ata duhet të konsultohen hera-herës me psikologun ose pedagogun dhe nuk e kanë këtë mundësi, sepse ky kuadër mungon në qendrën ditore. Fatkeqësisht kjo kërkesë gjithmonë hasën në vesh të shurdhër”, thotë koordinatori I qendrës ditore për fëmijë Bexhet Kamberi

Fillimisht kur është hapur qendra në vitin 2003, kanë qenë të punësuar pedagogu dhe psikologu mirëpo që nga viti 2005 janë larguar nga puna me pretekst se do të zëvendësohen me kuadro të rinj. Ata ende nuk janë zëvendësuar. 

“Në raste të rënda ne detyrohemi që të kërkojmë ndihmë nga psikologë që janë të punësuar në qendrën për punë sociale, mirëpo kjo nuk është efektive dhe ne nuk mundemi që gjithmonë ta bëjmë këtë. Numerikisht në këtë qendër duhet të ketë të punësuar gjashtë persona dhe këtu janë të punësuar gjashtë persona, mirëpo në vend të pedagogut dhe psikologut ka kuadër tjetër”, shpjegon më tej koordinatori Bexheti.

Ai thotë se momentalisht ka katër motra medicinave, njëra prej tyre ka mbaruar fakultetin dhe mund të kryejë punën e pedagoges, por për shkak të mos-sistematizimit ajo ende nuk mund të marrë vendim si pedagoge. 

Qendra ditore për fëmijë në Tetovë funksionin që nga viti 2003 dhe në të trajtohen 25 fëmijët me aftësi të veçanta, ndërsa në gjithë territorin e Maqedonisë ka gjithsej 20 qendra ditore për trajtim të fëmijëve me nevoja të veçanta. /Portalb

Exit mobile version