Site icon PORTALB

E festojmë Ditën e mjedisit jetësor, por jemi të mbuluar me mbeturina dhe thithim ajër të helmuar

Në Maqedoninë e Veriut ka 54 deponi të ligjshme, por dy herë më shumë deponi ilegale. Trajtimi i mbeturinave është një nga çështjet më kritike me të cilat vendi është duke u përballuar gjatë dekadave. Ndërgjegjësimi i ulët i qytetarëve, por edhe sistemi i vendosur gabimisht dhe pjesërisht funksional i trajtimit të mbeturinave janë ndër arsyet kryesore që natyra në Maqedoni edhe sot, më 5 qershor, Ditën ndërkombëtare të mjedisit jetësor, është e mbuluar me mbeturina, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.

Veç kësaj, më tepër qytete në vend janë në krye të listës botërore të vendeve me ajrin më të ndotur, kurse pasojat maten me mijëra jetë njerëzish të humbura çdo vit.

As situata me mbrojtjen e ujit dhe tokës nuk është më e mirë. Shembuj të mos funksionimit të impianteve për trajtim dhe shkarkim të ujërave të zeza të patrajtuara në liqene dhe rrjedhat ujore është një pamje reale në shoqërinë tonë. Është e njëjta gjë me pikat e nxehta historike, siç janë shkritorja në Veles ose OHIS në Shkup, të cilat për dekada kanë qenë një rrezik i madh për tokat dhe ujërat nëntokësore.

Këtë vit, në të gjithë botën, fokusi i Ditës ndërkombëtare të mjedisit jetësor është rinovimi i ekosistemit. Sot shënohet fillimi i Dekadës së Kombeve të Bashkuara që është në temën “Riparimi i ekosistemeve”. Sipas Programit të KB për mjedis jetësor, UNEP, riparimi i ekosistemeve dhe gjetja e zgjidhjeve natyrore mund të ndihmojë në që ngrohja globale të jetë nën dy gradë Celsius deri në vitin 2030, duke ndihmuar ekonomitë dhe shoqëritë të përshtaten me ndryshimet klimatike. Në të njëjtën kohë, me riparimin e sipërfaqeve natyrore mund të shpëtohet dhe mundësohet mbijetesa e specieve deri në 60 për qind. Riparimi i ekosistemeve kontribuon në përmbushjen e të gjitha 17 qëllimeve globale për zhvillim të qëndrueshëm, përfshirë varfërinë dhe uljen e urisë.

Nga Ministria e mjedisit jetësor thonë se Dita ndërkombëtare e mjedisit jetësor – 5 Qershori është arsye për t’iu gëzuar mjedisit tonë të shëndoshë, por edhe për të kujtuar se secili prej nesh ka një rol për të ruajtur atë.

“Jemi duke punuar në shpalljen e zonave të reja të mbrojtura, forcimin e standardeve mjedisore dhe duke bërë përpjekje të guximshme për të zvogëluar ndryshimet klimatike. Megjithatë, besoj se na duhen përpjekje të përbashkëta, jo vetëm nga qeveritë por edhe nga kompanitë dhe qytetarët, për t’u bërë brezi që do të bëjë paqe me natyrën. Duke përdorur transport që nuk e dëmton ajrin duke e shmangur paketimin për një përdorim, mund të bëhemi pjesë e zgjidhjes”, tha Ministri i mjedisit jetësro Naser Nuredini.

Sipas të dhënave të UNEP, degradimi i ekosistemit tashmë po prek pothuajse 3,2 miliardë njerëz, ose 40 përqind të popullsisë së botës dhe bota çdo vit po humb nga 10 milionë hektarë pyje. Erozioni global i tokës kushton 6 trilionë dollarë në vit, ndërsa sot kemi 30 për qind më pak ujë të pijshëm natyror se sa në vitin 1970.

Fokusin e kësaj dite në Shoqata Ekologjike Maqedonase e ka vendosur në nevojën për trajtim të duhur të mbeturinave, i cili është vetëm një nga kushtet për mjedis jetësor të shëndoshë.

“Sot dhe çdo ditë më pas, mendoni në mënyrë të qëndrueshme dhe mos ndotni mjedisin. Menaxhimi i papërshtatshëm i mbetjeve është një nga problemet më të mëdha mjedisore. Deponitë e paligjshme i ndotin ujërat nëntokësore dhe sipërfaqësore, kurse djegia e pakontrolluar e ndot ajrin. Deponimi i mbetjeve të patrajtuara e rrit mundësinë e grumbullimit të substancave toksike në zinxhirin ushqimor”, informon SHEM.

Exit mobile version