RMV, Fondi për Sigurim të Depozitave është plot me para, normat e interesit nuk duhet të rriten

Fondi për Sigurim të Depozitave, i cili i dëmshpërblen kursimtarët që kanë deri në 30,000 euro në rast të se ndonjë bankë falimenton, aktualisht ka thuajse 240 milionë euro, kështu që nuk duhet të rriten premitë që bankat i paguajnë në fond, gjë që mund t’i zmadhojë normat e interesit, shkruan REL, njofton Portalb.

Disa ekonomistë kanë frikë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për t’iu hequr, Fondit të Sigurimit të Depozitave (FSD), avantazhi gjatë arkëtimit të kërkesës nga bankat e falimentuara do të rrisë koston e kredive ose do t’i bëjë kursimet më të lira, por të tjerë thonë se nuk ka asnjë arsye për diçka të tillë. Fondi është plot me para edhe pa përparësi dhe njoftojnë se nuk do të ketë ndryshime në punën e tyre, e as arsye për frikë.

Gjykata Kushtetuese të martën e shfuqizoi paragrafin 3 të Nenit 163 të Ligjit për bankat, sipas të cilit prioritet në procedurën e falimentimit kanë kërkesat e Fondit për Sigurim të Depozitave. Iniciativën për shfuqizim të dispozitës e parashtroi Shoqata e personave fizikë dhe juridikë të dëmtuar në Bankën Eurostandard, “Drejtësi për kursimtarët”.

Fondi për Sigurim të Depozitave është institucion i specializuar financiar shtetëror që i siguron depozitat e kursimeve të qytetarëve në rast se ndonjë bankë ose ndonjë shtëpi kursimesh falimenton. Nëse ndonjë bankë falimenton, Fondi për 20 ditë fillon t’i paguajë të gjitha depozitat e familjeve deri në 30 mijë euro.
Qytetarët që kanë mbi 30 mijë euro në llogari, si dhe kompanitë, duhet të presin deri në përfundimin e procedurës së falimentimit të bankës së falimentuar për të inkasuar një pjesë të parave. Fondi deri tani ka pasur avantazh në procedurën e falimentimit, mirëpo tani do të ketë status të njëjtë me kreditorët e tjerë.

Ish-ministri i Financave, Nikolla Popovski për Tellma deklaroi që ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është diskutabil, sepse Fondi është i detyruar që menjëherë t’i dëmshpërblejë kursimtarët që kanë deri në 30 mijë euro, kurse pastaj të presë që t’i kthejë paratë nga masa e falimentimit, sikur edhe gjithë të tjerët, me çka vihet në pozitë të pabarabartë me kreditorët e tjerë.

“Kjo donë të thotë se dy gjëra do të ndodhin në sistemin bankar të Maqedonisë. Së pari, kursimet do të bëhen më të shtrenjta për kursimtarët, përkatësisht prurjet e tyre do të jetë më të ulëta sepse bankat do të kenë shpenzim më të lartë për të veçuar për këtë. Së dyti, kjo do të reflektohet në fitimet dhe dividendët e bankave në korrelacion me atë sa nuk do të inkasojnë tani për atë që e kanë dhënë si prioritet. Pak është i çuditshëm sistemi në të cilin keni detyrime për të paguar dhe më pas të inkasoni, ligji ju obligon të jeni parët për të paguar diçka dhe në tërësi dhe pastaj ligji ju pengon të jeni të parët që ta merrni atë,” vlerëson Popovski.

Nga ana tjetër, për momentin, as Fondi nuk paralajmëron që mund të rrisë primin për arkëtim nga bankat, e as nuk paralajmëron ndonjë ndryshim në normat e interesit. Viteve të fundit, Fondi e ka përgjysmuar primin të cilën e paguajnë bankat për sigurim të kursimeve të depozituara nga 0.7 për qind në 0.5 për qind dhe tani është 0.25 për qind në vit nga depozitat e përgjithshme të personave fizik në secilën bankë.

Akademiku Abdulmenaf Bexheti thotë se rritja mundshme e primit për bankat mund të ketë ndikim negativ në normat e interesit dhe t’i dekurajojë qytetarët që t’i mbajnë paratë në bankë, por vlerëson se kjo nuk do të ndodhë.

“Nuk duhet të stimulojë rritje të alokimeve për Fondin. Fondi është në gjendje aq të mirë financiare kurse në anën tjetër sektori bankar është mjaft i qëndrueshëm. Kjo ndodhi vetëm me një bankë dhe për fat të mirë nuk depërtoi dhe nuk e përshpejtoi atë efekt,” thotë Bexheti.

Anëtarë të Fondit janë 13-të bankat dhe dy shtëpitë e kursimit në Maqedoni. Ata në Fond paguajnë nga 0.25 për qind të depozitave të përgjithshme të personave fizik. Aktualisht, Fondi ka thuajse 240 milionë euro, që është mbi minimumin ligjor prej 4 përqind të të gjitha depozitave të kursimeve të qytetarëve, që kanë në bankat kanë mbi 4.6 miliardë euro. Pastaj, Fondi këto para i investon në letra me vlerë dhe çdo vit fiton edhe nga kamatat.
Banka Popullore i morri licencën për punë Eurostandard Bank-ës në gusht të vitit të kaluar dhe menjëherë pas kësaj u hap procedurë falimentimi ndërsa pagesa e mjeteve nga Fondi për Sigurim të Depozitave filloi në shtator. Kursimtarëve në bankën e falimentuar, që kanë pasur nga 30 mijë euro Fondi tanimë u ka paguar 59 milionë euro. Ata ende nuk kanë marrë 9 milionë euro të tjera të cilat i presin.

Personat tjerë, të cilët kanë pasur mbi 30 mijë euro, si dhe kompanitë, kërkojnë nga Eurostandard Bank-a e falimentuar edhe 36 milionë euro të tjera që do të duhet t’i inkasojnë nga masa e falimentimit.

Fondi për Sigurim të Depozitave ekziston nga viti 1997, fillimisht si Fond për Sigurim të Kursimeve në pronësi të të gjitha bankave dhe shtëpive të kursimit të atëhershme dhe nga viti 2000 në pronësi të shtetit. Limiti për dëmshpërblim të depozitave të kursimeve ka ndryshuar nga 10 mijë marka gjermane, në 10 mijë euro, pastaj në 20 mijë euro, kurse nga viti 2010 tërësisht dëmshpërblehen të gjithë kursimtarët deri në 30 mijë euro.

Nga viti 1997, deri në falimentimin e Eurostandard Bank, në vend kanë falimentuar 10 banka dhe shtëpi kursimi depozituesit e të cilave janë dëmshpërblyer nga Fondi. Janë dëmshpërblyer mbi 20 mijë qytetarë të cilët kanë pasur mbi 22 milionë euro. Pjesa më e madhe e këtyre parave, përkatësisht rreth 95 për qind, janë paguar pas falimentimit të Bankës Maqedonase në vitin 2007. Në Eurostandard Bank janë dëmshpërblyer rreth 10 mijë persona në shumë rreth 60 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button