Site icon PORTALB

USHT shënon 18 vite nga ligjëratat e para

USHT shënon 18 vite nga ligjëratat e para

USHT shënon 18 vite nga ligjëratat e para

Me vendosjen e buqetave me lule pranë busti i Abdylselam Eminit, tek fakulteti i arteve në Reçicë të Vogël dhe homazheve tek varri i rektorit të parë të USHT-së Fadil Sulejmani, është shënuar sot 18 vjetori i ligjëratave të para të Universitetit Shtetërorë të Tetovës. Një ekip i USHT-së, po ashtu ka vizituar edhe disa objekte në fshatin Poroj të Tetovës, ku u vazhduan ligjëratat pas ndalimit të tyre në Reçicë të Vogël nga policia. Më vonë, në amfiteatrin e objektit të ri të USHT-së, u mbajt një akademi solemne kushtuar kësaj date madhështore të arsimit shqip në Maqedoni, e cila filloi me një dokumentar të shkurtër mbi jetën dhe veprën e profesor doktor Fadil Sulejmanit, dhe themelimit të USHT-së.

“Historia e fillimit të universitetit tonë, vërteton më mirë se kur një popull mbështet një ide fisnike, siç është arsimimi në nivel universitar, asnjë forcë nuk mundë ta ndalë jetësimin e kësaj ideje. Sot e 18 vite më parë në Porojin legjendar u skalit kjo datë e cila i takon historisë më të re të shqiptarëve në këto hapësira. Përgjatë dy dekadave universiteti ynë realizoi misionin e vet arsimor, realizoi objektivat e veta dhe u shndërrua në një universitet publik në kuadër të sistemit arsimor të Maqedonisë, pra i falënderojmë dhe i shprehim mirënjohje familjeve që shtëpitë e tyre i shndërruan në mësonjëtore të universitetit, po ashtu një falënderim për studentët e gjeneratës së parë profesorët dhe bashkëpunëtorët, që dhanë për ngritjen përparimin dhe konsolidimin e këtij institucioni të vetëm sipërorë për shqiptarët në Maqedoni”, tha  Vullnet Ameti, rektor i USHT-së.

Një historik të shkurtër mbi zhvillimin e procesit të formimit të USHT-së, dha profesori i historisë Nebi Dervishi, i cili mes tjerash në fjalimin e tij, e quajti profesorin Fadil Sulejmani si Martin Luter Kingun e shqiptarëve.

“Pas mbledhjes së 14 shkurtit, po atë ditë në lokalet e PDP-së, mban një konferencë për mjetet e informimit, njoftoi opinionin për vitin e parë që bëri ekipi i USHT-së në SHBA, në datat 1 deri më 11 shkurt të 95 dhe përgatitjeve përfundimtare rreth fillimit të USHT-së ku ndër tjera profesor Fadili thekson: dilemë nuk ka, viti akademik i studentëve të UT-së fillon nesër, pra e mërkurë 15 shkurt në ndërtesën e Reçicës ku është planifikuar fakulteti matematiko-natyror, me këtë rast janë ftuar krejt studentët që do fillonin vitin akademik në 15 objekte të parapara për zhvillim mësimi, profesorët e gjashtë fakulteteve deputetët e kuvendit, ministra, kryetarë komunash të Dibrës Tetovës, Gostivarit, liderë të asociacioneve dhe shoqatave me atë se nëse policia e pengon punën tonë, ne do vazhdojmë atje ku nuk ka polic”, tha  Nebi Dervishi, historian.

18 vjet më vonë, USHT-ja numëron mbi 15 000 studentë në gjithsej 95 programe studimore dhe 11 fakultete të akredituara, të shtrira në gjashtë qytete, që nga Gostivari, Kërçova, Dibra, Kumanova, Shkup dhe qendra në Tetovë, e cila kohëve të fundit u bë edhe me një objekt, ndër më modernët në rajon. /Alsat-M

Exit mobile version