Site icon PORTALB

Maqedonia rrezikon perspektivën evropiane

Zoran Jovanovski -nënkryetar i LSDM-së

Zoran Jovanovski -nënkryetar i LSDM-së

Nëse deri më 24 mars Nikolla Gruevski nuk pranon propozimin për marrëveshje politike me opozitën, atëherë Maqedonia do të marrë raport negativ nga BE, ndoshta edhe me marrjen e rekomandimit për fillimin e bisedimeve, ka theksuar nënkryetari i LSDM-së, Zoran Jovanovski, duke shtuar se të gjitha përgjegjësit janë drejtuar tek kryeministri Nikolla Gruevski. 

Jovanovski ka nënvizuar se tanimë është e qartë për të gjithë se opozita nuk bën lojë, me vendimin e qartë për bojkotimin e zgjedhjeve lokale. 

“Tani shtrohen dy çështje. Së pari, të shohim se për Gruevskin a është më i rëndësishëm interesi dhe ardhmëria e Maqedonisë apo interesat e tij personale dhe partiake. Së dyti, duke ditur tashmë efektin negativ të rrugës drejt NATO dhe BE për shkak të inateve të VMRO-DPMNE dhe mospranimin e ofertës së opozitës, tani do të shohim se si do të veprojë BDI, e cila thotë se prioritet kryesor është BE dhe NATO. Deri më 24 mars gjithçka do të dihet. Punët tashmë kanë dalur në sipërfaqe. Nuk ka më fshehje dhe maskime. A do të pranojë Gruevski propozimin e opozitës apo Maqedonia do të humbë pesë vite”, theksoi Jovanovski. 

Nënkryetari i LSDM-së ka rikujtuar se propozimi i opozitës është që të shtyhen zgjedhjet lokale për një muaj dhe të bëhen ndryshimet e kodit zgjedhor. /Portalb

Exit mobile version