Me marrëveshjen e Prespës u vendos pikë, ndërsa me atë të Fqinjësisë së Mirë presje – Kyçyk thotë se duhet kohë për çështjet komplekse midis Shkupit dhe Sofjes

Marrëveshja e Prespës, në përgjithësi, thotë se Maqedonia e Veriut nuk ka asnjë lidhje me Greqinë antike dhe këtu përfundon biseda, i vendoset pika. Por me Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë e vitit 2017 me Bullgarinë vendoset presje dhe me gjasë prej aty buron e ajo më e madhja, çështja më komplekse, tha eurodeputeti bullgar dhe raportuesi i Parlamentit Evropian për vendin Ilhan Kyçyk, transmeton Portalb.mk.

Mbrëmë, i ftuar në TV21, ai vlerësoi se do të duhet kohë për t’a zgjidhur problemin midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe se do të duhet të njihemi më mirë.

“Marrëveshja e vitit 2017, shtruarja e temës për histori të përbashkët, tregon edhe një gjë – që kjo çështje nuk mund të zgjidhet brenda disa vitesh. Ky është ndryshimi i rëndësishëm me Marrëveshjen e Prespës”, tha Kyçyk.

Sipas tij, duhet kohë për t’u zgjidhur kjo çështje dhe për disa vjet nuk do të arrihet në një përgjigje të thjeshtë për “pyetje shumë komplekse të grumbulluara ndër vite”.

“Do të nevojiten përpjekje, do të duhet të njihemi më mirë. Është e qartë se për të njëjtat ngjarje historike kemi interpretime të ndryshme, kemi shpjegime të ndryshme, pikëpamje të ndryshme, njëra në Bullgari dhe tjetra në Maqedoninë e Veriut”, tha Kyçyk.

Eurodeputeti konsideron se nuk duhet të pritet që vendi t’i fillojë bisedimet e anëtarësimit ne BE-në në qershor, duke pasur parasysh zhvillimet në Bullgari dhe mungesën e një qeverie politike.

“Nëse e shohim atë si një fenomen statik, gjegjësisht kërkojmë datë specifike se kur nyja Gordiane do të zbërthehet, atëherë me shumë gjasë nuk do të gjejmë datë, pa marrë parasysh sa përpiqemi ta gjejmë atë. Për mua, biseda e madhe është se si të krijojmë një atmosferë pozitive politike midis të dy palëve, bazuar në besimin se do të duhet të ecim bashkë në rrugën e Bashkimit Evropian”, shtoi Kyçyk.

Përpjekjet e përfaqësuesve të ndryshëm evropian janë intensifikuar gjatë periudhës së fundit për të zgjidhur mosmarrëveshjen dhe për të mbajtur Konferencën e parë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian në qershor gjatë Presidencës portugeze. Ministri i Jashtëm portugez Augusto Santos Silva dhe Komisioneri i BE-së për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë Oliver Varheji prezantuan zgjidhjet e propozuara për mosmarrëveshjen, fillimisht në Sofje dhe më pas në Shkup, por asnjë detaj nuk është publikuar deri më tani për publikun, përveç se propozimi nuk prek në çështjet e identitetit maqedonas, si dhe se presidenca portugeze është kujdesur për të dy palët.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut, i ka përmbushur kushtet dhe ka marrë dritë jeshile për fillimin e negociatave me BE-në. Megjithatë, ky proces ka mbetur në vend numëro pasi Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perëndimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te anëtarët e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button