RMV, nga 1 qershori mund të hiqet detyrimi për mbajtjen e maskës në ambient të hapur
Nga 1 qershori, mund të hiqet masa për mbajtjen e detyrueshme të maskave në ambient të hapur, për çka do të vendosë Komisioni për Sëmundje Infektive në një takim javën e ardhshme. Kështu deklaroi ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe për TV21, i cili informoi se javën e ardhshme Komisioni do të vendosë se cilat masa për mbrojtje kundër kovid-19 do të aktivizohen nga 1 qershori, si dhe se do të diskutojnë për heqjen e mundshme të masës për mbajtjen e maskave në ambient të hapur, transmeton Portalb.mk.
“Është e mundur të hiqet masa për mbajtjen e detyrueshme të maskave mbrojtëse. Javën e ardhshme do të ketë mbledhje të Komisionit, i cili do të vendosë për më tej. Këto masa janë të vlefshme deri më 1 qershor”, tha Filipçe.
Mbajtja e detyrueshme e maskave si masë u fut më 23 prill të vitit të kaluar, në fillim të pandemisë kovid-19. Në fillim maskat ishin të detyrueshme vetëm në ambiente të mbyllura, ndërsa më vonë duhej të mbaheshin edhe jashtë.
Gjoba për mos mbajtjen e maskës, është 20 euro. Për ndërmarrjet që nuk sigurojnë maska mbrojtëse për punonjësit, gjoba është nga 500 deri në 2,000 euro. Ministria e Punëve të Brendshme raporton çdo ditë për qindra qytetarë të sanksionuar të cilët nuk mbanin maska në ambiente të hapura.
Një pjesë e vende evropiane kanë njoftuar tashmë heqjen e disa masave kufizuese, duke përfshirë mbajtjen e maskës, ndërsa një pjesë tjetër, i kanë lehtësuar pjesërisht masat mbrojtëse kundër kovid-19.