Propozimi portugez në analizë të detajuar, Zaev konsideron se në të janë marrë parasysh pritjet e Shkupit dhe Sofjes

Propozimi portugez për zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë tashmë është shqyrtuar plotësisht nga autoritetet e vendit, ndërkohë gjatë kësaj jave do të vazhdojnë takimet kushtuar zgjidhjeve të propozuara, për të cilat pala maqedonase thotë se janë marrë parasysh pritjet edhe të Shkupit edhe të Sofjes, transmeton Portalb.mk.

Përpjekjet janë intensifikuar gjatë periudhës së fundit për të zgjidhur mosmarrëveshjen dhe për të mbajtur Konferencën e parë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian në qershor gjatë Presidencës portugeze. Ministri i Jashtëm portugez Augusto Santos Silva dhe Komisioneri i BE-së për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë Oliver Varheji prezantuan zgjidhjet e propozuara për mosmarrëveshjen, fillimisht në Sofje dhe më pas në Shkup, por asnjë detaj nuk është publikuar deri më tani për publikun, përveç se propozimi nuk prek në çështjet e identitetit maqedonas, si dhe se presidenca portugeze është kujdesur për të dy palët.

Ministri i Jashtëm Bujar Osmani në konferencën e përbashkët në Shkup të shtunën me homologët e tij nga Austria, Sllovenia dhe Republika Çeke, Alexander Schalenber, Ange Logar dhe Jakub Kulhanek, se propozimi ishte një bazë e mirë për heqjen e pengesave në rrugën e BE-së, por theksoi se nuk duhet që përmes mediave të paraqiten detaje. Ndërkohë kryeministri Zoran Zaev, dje në aktin e vendosjes së luleve me rastin e 24 majit – Ditës së vëllezërve Kirili dhe Metodi në UKIM, i pyetur për detajet e propozimit u përgjigj se ishin marrë parasysh pritjet e të dy palëve.

Nga ana tjetër në një paraqitjen në emisionin “Klik plus” në TV21, shefi i diplomacisë së Maqedonisë tha se rruga e Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian kalon nëpër Bullgari pa miratimin e së cilës nuk mund të fillojnë bisedimet e pranimit, por gjithashtu që Sofja nuk duhet ta humbasë këtë shans nëse dëshiron një Ballkan stabil.

“Është e vërtetë që rruga e Maqedonisë së Veriut kalon përmes Sofjes. Vendimi merret me konsensus. Nuk mund të ketë vendim pa miratimin e Bullgarisë. Ne vetëm mund të ëndërrojmë që ky vendim do të merret pa miratimin e Bullgarisë. Kjo nuk mund të ndodhë dhe kjo është arsyeja pse ne po përpiqemi të bindim miqtë tanë nga pala bullgare se Marrëveshja që kemi ndërtuar ka bazë të mirë për ndërtimin e marrëdhënieve tona dhe tejkalimin e mosmarrëveshjeve. Ata kanë nevojë për garanci shtesë që ne nuk do të ikim nga marrëveshja”, tha Osmani.

Lidhur me propozimin portugez, Zaev, konsideron se ekipi i udhëheqjes së BE-së janë kujdesur që të përmbushin pritjet e të dyja palëve.

“Nuk kam asnjë detaj në lidhje me anën e Bullgarisë, gjegjësisht Sofjen, për atë se si e shikon çështjen, por sipas meje presidenca portugeze, ministri portugez Augusto Silva dhe ekipi i tij u kujdesën që të përmbushin pritjet e të dyja palëve, tha Zaev .

Ai përsëriti se propozimi për ne është bazë e mirë për zgjidhje, kurse gjithashtu konsideron se është marrë parasysh pala bullgare për shkak të rezolutës së miratuar nga Parlamenti i tyre, por edhe gjithçka që është e rëndësishme, në përputhje me Marrëveshjen e stabilizim-asociimit dhe udhërrëfyesin për përshpejtimin e zbatimit të Marrëveshjes për fqinjësi të Mirë.

Zaev theksoi se propozimi mbron gjuhën maqedonase dhe identitetin maqedonas dhe se shumë shpejt pret njohjen e tyre zyrtare nga Bullgaria.

Presidenti Stevo Pendarovski nga ana tjetër, adresoi rëndësinë e gjuhës me rastin e 24 majit.

Presidenti Stevo Pendarovski, i cili nesër do të udhëtojë në Romë me homologun e tij bullgar me rastin e festimit të ditës së vëllezërve Kirili dhe Metodi, adresoi rëndësinë e gjuhës me rastin e 24 majit.

“Gjuha maqedonase, si çdo gjuhë tjetër sllave, është degë e pemës e mbjellë nga Shën Kirili dhe Metodi dhe studentët e tyre, duke përfshirë Shën Klementin dhe Shën Naum Ohridski. Se çfarë lloj frutash do të mbledhim varet nga sa do të investojmë në degën tonë maqedonase të pemës së gjuhës sllave. Është detyra jonë ndaj brezave të kaluar dhe të ardhshëm, por edhe kontributi ynë në hapësirën evropiane kulturore, arsimore dhe civilizuese”, tha Pendarovski në një mesazh urimi me rastin e 24 majit.

Delegacionet i Maqedonisë dhe i Bullgarisë, të udhëhequr nga Pendarovski dhe Radevi, do të udhëtojnë së bashku në Itali nesër dhe të nesërmen do të vendosin lule në Bazilikën e Santa Maria Maggiore. Pendarovski dhe Radevi dhe delegacionet e tyre do të udhëtojnë së bashku në Romë me aeroplan bullgar. Festa e përbashkët dhe udhëtimi i përbashkët vlerësohen si mundësi për të relaksuar atmosferën për të arritur zgjidhje me dy vendeve, por përsëri bisedimet mes tyre do të jenë joformale, pasi ata nuk janë të ngarkuar me negociata.

Nga ana tjetër, Zaev dje shprehu besim në frymën evropiane të dy presidentëve, duke theksuar se beson se ata do të lëvizin procesin e gjetjes së një zgjidhjeje.

“Si person që ushqej miqësinë, dialogun dhe bisedimet diplomatike për të gjetur zgjidhje për ndërtimin e miqësisë, pres që midis presidentit tonë Pendarovski dhe presidentit bullgar Radev të gjejmë hap përpara në tejkalimin e këtij problemi që padyshim pengon integrimin evropian të të gjithë Ballkanit Perëndimor. por edhe perspektivat tona evropiane, tha Zaev.

Ai shprehu besimin se Bullgaria do të vazhdojë të jetë mbështetëse e fortë e Maqedonisë së Veriut, por edhe në rrugën e integrimit evropian në Ballkanin Perëndimor, gjë që e ka treguar disa herë, veçanërisht në vitin 2018 duke organizuar samitin BE-Ballkan Perëndimor në Sofje.

“Besoj se fryma evropiane që presidenti Radev ushqen, por edhe presidenti ynë, do të jetë shtysë e mjaftueshme midis të dyve për të bërë një hap përpara dhe për të vazhduar evropianizimin tonë, ndërsa natyrisht që do të jemi në gjendje të përshpejtohemi përmes hartës rrugore, të ndikojë në atë që është zbatimi i Marrëveshjes për miqësinë, fqinjësinë e mirë dhe bashkëpunimin midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë”, porositi kryeministri.

Pas vendosjes së luleve para monumentit të vëllezërve Kirili dhe Metodi në Sofje, Presidenti bullgar Radev dje tha se Bullgaria zhvillon marrëdhëniet midis dy vendeve në frymën e besimit, miqësisë dhe fqinjësisë së mirë. Ai shtoi se rruga evropiane e Republikës së Maqedonisë së Veriut kalon përmes Sofjes dhe se është rruga zgjidhjen e të gjitha problemeve.

“Mund të them se papritmas u bëra shumë interesant për të gjithë liderët evropianë. Çdo dit kam ftesa për të biseduar me të paktën dy kryeministra, një president dhe një komisioner. Ka shumë vëmendje ndaj Bullgarisë, nuk do a them fjalën presion,” tha Radev dje, duke shtuar se nuk duhet të harrohet që Bullgaria është anëtare e BE “dhe kjo do të thotë shumë, kurse ne do t’i drejtohemi anëtarëve të tjerë të BE-së për solidariteti”.

Ai dje u takua me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Kryeministrin portugez Antonio Costa, duke theksuar nevojën për shembuj pozitivë në marrëdhëniet bilaterale midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe një dialog dypalësh të drejtpërdrejtë dhe të hapur për zgjidhjen e problemeve.

“Na duhen shembuj pozitivë në marrëdhëniet dypalëshe midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe dialog dypalësh i drejtpërdrejtë dhe i hapur për të zgjidhur problemet. Çdo vendim i mundshëm për të filluar negociatat e anëtarësimit në BE me Republikën e Maqedonisë së Veriut do të analizohet dhe harmonizohet me kujdes me deklaratën e parlamentit bullgar dhe pozicionin kornizë të vendit tonë për zgjerimin e BE-së dhe Procesin e stabilizim-asociimit nga tetori i vitit 2019”, deklaroi Radev.

Nënpresidentja e Bullgarisë, Iliana Jotova, dje në një intervistë për Radion kombëtare të Bullgarisë deklaroi se këto janë hapat e parë në shkrirjen e marrëdhënieve midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, pasi ata arritën një pikë mjaft të pashpresë të zhvillimit.

“Me përpjekjet e Bashkimit Evropian, duhet gjetur zgjidhje për të dy vendet, në mënyrë që të përmbushin Marrëveshjen e fqinjësisë së mirë të vitit 2017 dhe në të njëjtën kohë të mos fshihet kujtesa as e Bullgarisë dhe as e Maqedonisë së Veriut”, tha Jotova.

Sipas Jotovës, kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme, pasi ka mundësi të ndryshme në lidhje me procesin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në, sipas të cilave disa tekste do të shkruhen në kapitullin e parë ose do të krijohet një kapitull shtesë pas të gjithë të tjerëve dhe procesi i negociatave për të nuk do të mbyllet derisa të sqarohen marrëdhëniet midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut, i ka përmbushur kushtet dhe ka marrë dritë jeshile për fillimin e negociatave me BE-në. Megjithatë, ky proces ka mbetur në vend numëro pasi Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perëndimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te anëtarët e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button