Site icon PORTALB

Asgjë të re nga Evropa

Selim Ibraimi

Selim Ibraimi

Politika e jashtme e një shteti udhëhiqet jo vetëm nga konsideratat e jashtme, por ajo shpeshherë ndikohet nga faktorët e brendshëm që burojnë nga sjelljet e partive politike, qeverisë dhe grupeve të interesit. Dy diplomatët e lartë të BE-së Augusto Silva (ministri i Jashtëm spanjoll) dhe Euro-Komesari për Zgjerim Oliver Varhjel, gjatë qëndrimit në Maqedoninë e Veriut (MV) dhe në Bullgari nuk arritën as të bëjnë shtrëngime duarsh në mes dy palëve dhe as më pak arritën të “grushtojnë” si diplomatë të Evropës. Këtu duhet të kemi parasysh se çfarë lloj diplomacie po zbatojnë evropianët në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve bullgaro-maqedonase.

1. Diplomacia e hapur siç shihet nuk ka efekte në zbutjen e qëndrimeve në mes Shkupit dhe Sofjes. Për afro një vit që kur Bullgaria zyrtare vendosi veto ndaj MV-së, diplomacia e hapur evropiane nuk arriti t’i ofrojë qeveritë dhe shkurt më shumë i largoi nga tavolina e bisedimeve. Pas ngritjes së tensioneve në pranverë rreth gjuhës maqedonase, vërehet se qasja evropiane nuk është e përshtatshme në zgjidhjen e problemeve të reja në Ballkanin Perëndimor.

Përderisa kryeministri maqedonas Zoran Zaev u pajtua me propozimin e dy diplomatëve të Evropës, Bullgaria zyrtare i hodhi poshtë si zgjidhje të mundshme dhe përfundimisht MV nuk do të mund t’i fillojë negociatat në qershor të këtij viti. Siç shihet gjërat nuk ecin ashtu siç dëshiron BE-ja, MV-ja dhe në fund vetë Bullgaria. Më herët kemi shkruar rreth diplomacisë, politikës së jashtme, prerogativave dhe specifikave të mjeshtërisë që duhet t’i posedojnë zyrtarët në punët e jashtme.

Aktorët që kanë marrë përsipër zgjidhjen e kontestit maqedono-bullgar, po qëndrojnë jashtë negociatave klasike të drejtpërdrejta dhe përdorimit të grushtit diplomatik. Si ka mundësi që evropianët nuk po arrijnë t’i lëvizin çështjet me nder dhe drejtësi?! Nuk është e rastit se pse Sofja dhe Shkupi nuk e kanë ndërmend të tërhiqen nga pozicionet e forta. Sipas të gjitha gjasave edhe këtë vit të dyja qeveritë do të vazhdojnë të jenë të palëvizshme. Diplomacia me dyer të mbyllura dhe vazhdimi i rrahjes së problemit po aty ku është mbështjellur nyja e re ballkanike në mes Sofjes dhe Shkupit duhet të jetë forma më e mirë e trajtimit të identitetit të ri maqedonas dhe problemeve tjera të mbetura në Ballkanin Perëndimor. Sidoqoftë, nuk ka indikacione se çështja në jug të Ballkanit do të zgjidhet lehtë dhe pa mos i prekur emocionet e qytetarëve. Megjithatë, shpresat nuk janë shuar për pajtim dhe paqe nëse me të vërtetë do të kemi një ndërmjetësim dhe negocim nga Uashingtoni me ndërhyrje jo në punët e brendshme të shteteve, por vetëm në ndihmë të drejtpërdrejtë për zgjidhje të qëndrueshme të shpejtë dhe afatgjate. Duhet theksuar se Uashingtoni zyrtar është tejet i zënë me problemet e brendshme ekonomike dhe pandemike. Angazhimi i Departamentit të Shtetit (Zyrës Evropiane) me propozime konkrete të mbështetura në të drejtën historike të popujve të Ballkanit dhe ecjes përpara drejt integrimeve të mundshme evropiane do të ishte opsioni më i përshtatshëm në pengesën në mes MV-së dhe Bullgarisë. Jo të gjitha nismat diplomatike amerikane me dyer të mbyllura kanë qenë të suksesshme që kur Jugosllavia u shpërbë, por të paktën duhet një autoritet më i fortë për t’i zgjidhur çështjet në mes shteteve të rajonit.

2. Jo gjithherë nismat ndërkombëtare zgjojnë interes për të gjitha partitë politike dhe për segmentet e caktuara qeveritare. Javën që shkoi në kuadër të MPJ së MV-së është formuar një Këshill Strategjik që do të ketë disa misione. Më i vështiri do të jetë të përcaktojë dhe balancojë interesat kombëtare të dy etnive në politikën e jashtme dhe kërcënimet ndaj lidhjeve të brendshme etnike. Viti 2030 dhe parashikimet më tej për një vend siç është MV është e tepërt ose pothuajse e tepruar, pasi perspektiva e shtetit dhe e rajonit varret nga BE, SHBA, Turqia dhe roli ruso-serb. Pjesërisht Këshilli do të duhet të luaj një rol më aktiv në raportet me Bullgarinë dhe vendosjen e MV-së në sferën e raporteve speciale me shqiptarët në Ballkan. Një përbërje e tillë e ekipit të MPJ-së në përjashtime do të jetë më tepër një përqendrim në parashikime dhe skenarë të huaj që nuk burojnë nga MV dhe për forcim të lidhjeve me Serbinë si epiqendër e politikës ballkanike. Tani e tutje e vetmja rrugë e drejtë për MV nuk do të jenë këshillat strategjike, por veprimtaria e fshehtë diplomatike me dyer të mbyllura deri në zgjidhjen e problemit. Përderisa MV-ja do të vazhdojë të ndikohet nga politika e jashtme e shteteve fqinjë në raport me Bullgarinë, opsionet do të jenë të ndryshme për mbylljen e kontestit. Pa një vendosje të kornizave të shëndosha diplomatike për tejkalimin e mosmarrëveshjeve, urrejtja bullgaro-maqedonase do të rritet. Këtu duhet nënvizuar një fakt tjetër se si aktor i pavarur që mund të ndikojë në zbutjen e tensioneve në mes dy shteteve është Turqia. Këtë ndërmjetësim të diplomacisë turke sigurisht se nuk e pranon MV e cila tashmë është në raporte të shkëlqyera më Greqinë e cila nuk dëshiron një rol më të madh të Turqisë në rajon. Për të ardhur deri tek normalizimi i raporteve Shkup-Sofje sigurisht se të dyja qeveritë duhet t’i zbusin qëndrimet e lojës me taktika të vjetra komuniste. Sigurisht se ndërmjetësimi mund të vështirësohet edhe më shumë, pasi prapa skenës negociatore qëndrojnë palë të treta apo shtete.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Exit mobile version