Site icon PORTALB

Sot luhen 3 super derbi!

Sot dita e super ndeshjeve!

Sot dita e super ndeshjeve!

Ende është duke u folur për ‘El Clasicon’ e të martës mbrëma, ku në kuadër të Kupës së Spanjës, Real Madrid arriti që të triumfojë 3:1 në ‘Camp Nou’ dhe të kalojë në finale. Ndërsa të shtunën (sot), një sfidë tjetër do të kemi mundësi që ta shikojmë, përsëri një klasike, që do të na dhurojnë spektakël dy gjigandët spanjollë.

‘El Clasico’ i 224-të nuk do ta ketë rëndësinë e ndeshjes që u luajt të martën pasi diferenca në La Liga është e lartë, ku Barcelona kryesuese është 16 pikë larg madrilenëve që janë në pozitën e tretë dhe në këtë takim pritet të hyjnë me mendje në ‘Old Traford’, ku të martën do të luajnë ndeshjen e Ligës së Kampionëve përballë Manchester United. Strategu portugez, Jose Mourinho, pritet që ta lërë në bankën rezervë dirigjuesin e lojës, Xabi Alonso, për të mos rrezikuar, pasi mesfushori spanjoll po ankohet nga një lëndim në këmbën e djathtë, ndërsa mungesa tjera nuk do të ketë te madrilenët, përpos kapitenit të lënduar, Iker Casilas.

Në anën tjetër, mysafirët do të jenë të kompletuar dhe Jordi Roura pritet që ta hedhë përsëri në fushë formacionin e të martës, ku ndryshimi i vetëm do të jetë, Victor Valdes, që pritet të kthehet në portë, pasi në kuadër të Kupës së Mbretit, ishte Pinto. Ndeshja e parë mes dy skuadrave këtë edicion në La Liga përfundoi 2:2, ku nga dy gola shënuan Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo. Ndërkohë, përcjellësi i Barcelonës, Atletico Madrid, do të ketë punë të vështirë, pasi do ta vizitojë stadiumin ‘La Rosaleda’ ku do ta pres Malaga e rrezikshme.

Derbi londinez

Këtë fundjavë në Premierligën angleze do të kemi derbin londinez, ku Tottenham Hotspurs, do ta mirëpresë Arsenalin e Arsene Wengerit, ndërsa ndeshja e së dielës do të ketë rëndësi për pozitën e tretë dhe të katërt. Ndërkohë, Chelsea pasi eliminoi Middlesbrough nga Kupa FA, do të presë në ‘Stamford Bridge’ skuadrën e papërshtatshme, West Bromwich Albion, skuadër që ka ‘ngrënë’ kokën e Andres Villas Boas dhe Roberto Di Mateos, pasi pati mposhtur kampionin aktual evropian.

Lideri aktual, Manchester United, do të ketë punë të lehtë, pasi në ‘shtëpi’ pret skuadrën Norwich City, skuadër e cila në pjesën e parë të sezonit i ka mposhtur ‘Djajtë e kuq’.

Milan pret Lazion

Pas barazimit në ‘Derby Della Madonina’, Milan ka humbur pozitën e tretë pikërisht nga Lazio, ndërsa të shtunën ka rastin që ta rikthejë atë pozitë përsëri, pasi do të mirëpresë në ‘San Siro’ skuadrën nga kryeqyteti italian. Lazio mban pozitën që i dërgon në Ligën e Kampionëve, me 47 pikë të tubuara, dy më shumë se Milan, e cila është në pozitën e katërt. Në këtë ndeshje për ‘Biancocelestët’ pritet që të luaj nga fillimi i ndeshjes edhe kapiteni i Kombëtares Shqiptare, Lorik Cana.

Interesant pritet të jetë edhe në Sicili, ku Catania në top-formë do ta presë Interin. Sicilianët në dy ndeshjet e fundit kanë shënuar dy fitore, që i kanë shtuar gjasat për garat evropiane, ndërsa Inter ka vetëm dy pikë më shumë se Catania, duke u renditur në pozitën e pestë në tabelë me 44 pikë. Në anën tjetër, Roma e ‘zgjuar nga gjumi’ në ‘Olimpico’ do ta presë Genoan e papërshtatshme.

Exit mobile version