Të dielën në Gaza vdiqën 42 persona nga sulmet ajrore izraelite

Izraeli në orët e natës ka kryer sulme intensive ndaj pikave të ndryshme në Rripin e Gazës. Zyrtarët palestinezë në Gaza kanë njoftuar se dita e diele ishte dita me më së shumti vdekje që kur kanë nisur luftimet me Izraelin, transmeton Koha.net.

42 persona vdiqën nga sulmet ajrore izraelite në Gaza të dielën.

Ushtria izraelite ka njoftuar se militantët palestinezë kanë lansuar më tepër se 3000 raketa në drejtim të Izraelit javën e kaluar.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka paralajmëruar se luftimet mund ta zhysin rajonin në një “krizë të pakontrollueshme”.

Ai ka bërë thirrje për t’i dhënë fund luftimeve.

Të hënën, aeroplanët luftarakë izraelitë kanë lansuar 80 sulme ajrore në disa zona në Gaza, pak pasi militantët e Hamasit kanë hedhur raketa në drejtim të jugut të Izraelit.

Sipas informacioneve të marra nga dëshmitarët, avionët luftarakë izraelitë kanë vendosur në objektiv disa pika të forcave të rezistencës palestineze, tokat bujqësore, rrugët dhe infrastrukturën. Si pasojë e sulmeve janë shembur disa qendra të policisë në pjesën jugore dhe perëndimore të Gazës, transmeton AA.

Sulmet krahas disa ndërtesave dhe shtëpive shkaktuan dëme të mëdha në disa bulevarde dhe rrugë. Në zonat pranë pikave të vendosura në objektiv ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike si dhe janë dëmtuar kanalizime dhe rrjete të shpërndarjes së ujit dhe energjisë elektrike.

Avionët luftarakë të Izraelit kanë bombarduar disa shtëpi dhe toka bujqësore në qytetet Rafah dhe Khan Yunis në jug të Gazës. Më tej bëhet e ditur se anijet luftarake izraelite të pozicionuara në det kanë hapur zjarr drejt bregdetit të Gazës ku si pasojë e sulmeve janë shembur dy shtëpi në Deir al-Balah dhe në Gaza.

Në një deklaratë nga Brigadat Izz ad-Din Al-Qassam, krahu ushtarak i grupit Hamas, thuhet se në kundërpërgjigje të sulmeve të kryera ndaj civilëve janë kryer goditje me raketa ndaj disa vendbanimeve izraelite në qytetet Beersheba dhe Askalan.

Saraya Al-Quds, krahu ushtarak i Lëvizjes Xhihadi Islamik ka njoftuar se në kundërpërgjigje të sulmeve që kanë vendosur në objektiv civilët në Gaza kanë kryer sulme intensive me raketa në qytetet Sderot, Netivot dhe Hanegev të Izraelit.

Ushtria e Izraelit nga llogaria në Twitter njoftoi se në jug të vendit filloi rënia e sirenave pas lëshimit të raketave nga Gaza.

Zyrtarët e Gazës kanë njoftuar se 42 persona, përfshirë 16 gra e 10 fëmijë, kanë vdekur nga sulmet ajrore të dielën.

Ndërkohë nga Izraeli është njoftuar se dhjetë persona, përfshirë dy fëmijë, kanë vdekur nga raketat e hedhura nga Hamasi në Izrael.

Në Gaza numri total i vdekjeve ka arritur në 197, përfshirë 58 fëmijë e 34 gra, ndërsa janë lënduar 1230 persona, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë në Gaza. Izraeli ka thënë se dhjetëra militantë kanë vdekur në këto luftime.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button