Site icon PORTALB

Mbi traditën e gjymtimit të teksteve shkollore

Fatmir Sulejmani

Fatmir Sulejmani

Viteve të fundit flitet e shkruhet shpesh për cilësinë e teksteve shkollore në gjuhën shqipe, të përpiluara gati në tërësi prej autorëve joshqiptarë, që nëpërmjet tyre përçmojnë femijët tanë, ua mohojnë tiparet identitare, i paraqesin si pasardhës pushtuesish të “tokave biblike” sllave…

Tekstet më të apostrofuara që dallohen me fyerjet e paskrupullta ndaj nesh janë ato të historisë, gjeografisë dhe edukimit muzikor, por edhe tekstet e lëndëve të tjera të shkollës fillore dhe të shkollave të mesme me mësim në gjuhën shqipe kanë të meta, për të cilët kam shkruar e kam bërë polemika që nga viti 1993. Sot, më shumë për t’jua kujtuar vazhdimësinë e gjymtimit të teksteve shkollore në gjuhën shqipe, sesa për të bërë histori, po ndalem shkurt në librat e leximit të kohës së monizmit dedikuar nxënësve shqiptarë, të cilët e mësonin letërsinë me cungime të mëdha, paravërisht përpjekjeve të disa përpiluesve për të shmangur sado pak bërthamat e përbashkëta  jugosllave, që  synonin edukimin në frymën e përcaktimeve ideore komuniste dhe ndërtimin e pikëpamjeve marksiste ndaj jetës dhe punës.

Censorët e asaj kohe kujdeseshin për respektimin e përpiktë të rekomandimeve sipas të cilëve një numër i madh njesishë mësimore në librat e leximit shqip duhej të ishin detyrimisht të autorëve jugosllavë e maqedonas. Të përbashktën e teksteve në fjalë e përbënin personazhët pozitivë si Stojani e Sllobodanka dhe heronjtë e mbrapshtë dytësor dhe të paedukuar si Hasani e Hyseni. Natyrisht, ndër detyrat parësore të censorëve bënte pjesë dhe sakatosja e krijimeve të bukura letrare, me qëllim që librat e letërsisë të bëjnë sa më shumë dëm që është e mundur dhe t’i bëjnë sa më inferiorë nxënësit shqiptarë.

Shfletimi i kujdesshëm i librave të leximit të kësaj periudhe nxjerr në pah tendencat hegjemoniste të pushtetit të hurit e litarit, që realizoheshin edhe nëpërmjet fragmenteve gjoja  të përzgjedhura nga veprat e autorëve tanë. Bie fjala, nga balada “Gjergj Ekez Alia”, që llogarritet ndër perlat e letërsisë gojore shqiptare, ishte shkëputur dhe botuar në libër vetëm pjesa që nis me vargjet:

Trim mbi trima ay Gjergj Elez Alija!

Qe nand’ vjet nand’ varra në shtat m’i ka!

Veç nji motër nat’ e ditë te kryet,

Ja lan varrat me ujt e gurrës nandvjeçe,

Ja lan varrat e vëllait me ata lott e syve,

Ja terë gjakun me ata flokët e ballit…

Nga poezia antologjike e Fan Nolit “Anës lumenjve” ishte botuar gjithashtu vetëm pjesa e parë e saj – vargjet e mbushura me vaj, lot, dhembje, të arratisur, të syrgjynosur, të rraskapitur, të pashpresë, të palarë, të paparë, të pangrënë, të panxënë…
Edhe nga poema e mirënjohur e Ndre Mjedës “Andrra e jetës” jepej vetëm pjesa e tretë “Lokja”, që vdes e vetme pa pasur kush t’i qesë një dorë krande në vatrën që shuhet përfundimisht:

Vetun zbardh’ e vetun erret

me krye n’hi e shuemja plakë;

nji dorë krande me i ba flakë

përmbi votër kush s’ia qet.

S’do mend se krijimet e cunguara qëllimisht, në shpirtërat e njomë të nxënësve shqiptarë mbillnin përfytyrime të trishta: dimra të acartë, rrugë të humbura, errësira, fatkeqësira, plagë të pashërueshme, oxhaqe që s’tymojnë, kobe, zi, vdekje, disfata… Me një fjalë, tekstet e tilla ndjellnin fatalizmin dhe kultivonin shpirtin e robit, sepse prej tyre qenë hequr kastile motivet e jetës: fitoret, rrezet diellore, pranverat, shpresa, optimizmi buzëqeshjet, lindjet, dashuritë, dasmat…

Kjo traditë e stërzgjatur poshtërrimesh duhet të jetë arsye e mjaftueshme për të hedhur në plehra gjithë “librat shkollore” që poshtërrojnë dinjitetin dhe vrasin të ardhmen e fëmijëve, nipave dhe mbesave tona, sepse vetëm shpirtrobërit lejojnë kaq gjatë nëpërkëmbje sistemesh totalitare edhe në kohë demokracie.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Exit mobile version