Urimet e krerëve politik në Maqedoninë e Veriut për Fitër Bajramin

Krerët politik në Maqedoninë e Veriut kanë uruar besimtarëve mysliman në vend festën e Fitër Bajramit. Mesazhi i përgjithshëm i tyre në këtë ditë festive është që të mbizotërojë solidariteti, toleranca, mirëkuptimi i ndërsjellë, bashkëjetesa dhe mirësia te të gjithë, me shpresë që kriza me Kovid-19 të kalojë sa më shpejtë, njofton Portalb.mk.

Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Stevo Pendarovski në urimin me rastin e festës së Fiter Bajramit përkujton në rëndësinë e bashkëjetesës, tolerancës dhe mirëkuptimit të ndërsjellë në vendin tonë.

“Për fat të keq edhe sivjet Muajin e Shenjtë të Ramazanit e kaluam të ngarkuar me pandeminë e kovid-19, në një atmosferë të pazakontë të ballafaquar me kufizime të shumta dhe masat e domosdoshme për të mbrojtur shëndetin dhe jetët tona. Faleminderit për këmbënguljen, kujdesin dhe disiplinën tuaj. Shpresoj se të pasuruar me forcën shpirtërore që e jep Fitër Bajrami edhe më tej do të mbetemi të përkushtuar, të përgjegjshëm dhe solidarë dhe do të dalim si fitimtarë në luftën me epideminë fundi i të cilit, falë vaksinimit të filluar, tashmë po i shihet”, thuhet në urimin nga presidenti Pendarovski.

Kryetari i kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi uroi festën e Fiter Bajramit.

“Për Fitër Bajram Ju dërgoj urime të sinqerta për shëndet të mirë, gëzim dhe paqe, suksese, fitore personale dhe kolektive. Kjo festë e përkushtuar ndaj mirësisë, dashurisë dhe faljes ndahet me të afërmit. Këtë vit na u zvogëlua numri i njerëzve të cilët na rrethojnë, por mund të ndajmë një fjalë të mirë, ndihmë, buzëqeshje dhe besim se jemi më afër tejkalimit të të gjitha sfidave që na i solli pandemia. Ju uroj ditë të bukura festive të përmbushura me momente të lumtura dhe të hareshme me të afërmit dhe të dashurit e Juaj”, uroi Xhaferi.

Kryeministri Zoran Zaev me rastin e festes së Fitër Bajramit uroi besimtarët e fesë islame.

“Në një periudhë kur e gjithë bota po përballet me tundime të rënda, dhe sivjet Muaji i Shenjtë i Ramazanit, muaji më fisnik dhe më i lumtur për ju qytetarë të besimit islam, e festojmë në kushte më të ndryshme me kufizimet të cilat i solli pandemia e koronavirusit KOVID- 19 Fundi i agjërimit dhe bekimet e fituara gjatë muajit të heqjes dorë dhe abstenimit, le t’ju stolisin me një frymë durimi dhe bujarie. Le të ballafaqohemi me sfidat, të cilat i sjellë kjo krizë globale shëndetësore-ekonomike, të nxitura nga dëshira për respekt të ndërsjellë, mirëkuptim dhe solidaritet, ndërsa dhuratat e festët shpërndani me familjet, farefisin, miqtë dhe fqinjtë e juaj”, thekson Zaev në urimin e tij.

Gjithashtu kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti uroi festën e Bajramin dhe tha se muaji i Ramazanit dhe Fitër Bajrami na përkujtojnë dhe na rikthejnë tek vlerat më të mira njerëzore mbi të cilat reflektojmë me gjithë qenien tonë përgjatë gjithë muajit të agjërimit.

“Të dashur besimtar, kam kënaqësinë e veçantë t’ju uroj Gëzuar Fitër Bajramin duke ju dëshiruar fillimisht shëndet dhe mbarësi në familjet e juaja. Muaji i shenjt i Ramazanit dhe Fitër Bajrami na përkujtojnë dhe na rikthejnë tek vlerat më të mira njerëzore mbi të cilat reflektojmë me gjithë qenien tonë përgjatë gjithë muajit të agjërimit. Uroj agjerim të pranuar dhe festë të mbarë e të begatë. Qofshim më të mirë për veten, për njëri tjetrin dhe për gjithë shoqërinë tonë“, tha Ahmeti.

Kryetari i ASH-së, Ziadin Sela në urimin e tij për Festën e Bajramit  tha se kjo është festa jonë që thyen muret e egoizmit dhe krijon afërsinë më reale dhe me të natyrshme  mes njerëzve duke e rritur besimin dhe vetëdijen tonë për të qëndruar më pranë Zotit dhe ndaj atyre që kanë nevojë për ne!

“Pas një muaj  të përcjellë me sakrificë e devotshmëri sot festojmë Fitër Bajramin. Është kjo festa jonë që thyen muret e egoizmit dhe krijon afërsinë më reale dhe me të natyrshme  mes njerëzve duke e rritur besimin dhe vetëdijen tonë për të qëndruar më pranë Zotit dhe ndaj atyre që kanë nevojë për ne! Mes vështërsive,  forca e besimit kthehet në shpresë dhe kurajo me plot solidaritet për paqe e harmoni me njëri tjetrin!  Më lejoni që në emrin tim dhe të Aleancës për Shqiptarët të gjithë besimtarëve musliman t’ju uroj Fitër Bajramin duke ju uruar shëndet, mbarësi dhe ngrohtësi në familjet e juaja.  Zoti tju pranojë agjërimin dhe lutjet e Juaja!”, tha Sela.

Gjithashtu, edhe kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski uroi besimtarët myslimanë me dshirë të sinqerta për shëndet të mirë dhe prosperitet tek të gjithë qytetarët dhe familjet e tyre.

“Këtë kohë të sfidave, varfërisë dhe probleme të përbashkëta mund ta kalojmë nëse jemi të bashkuar dhe nëse tregojmë se me mirëkuptim, bashkëpunim dhe tolerancë mundemi t’i tejkalojmë të gjithë pengesat njëjtë sikur me shekuj më parë këtë e kemi bërë. Maqedoninë ta ndërtojmë gurë mbi gurë, tullë mbi tullë, sikur shtëpinë tonë dhe ta mbrojmë nga shkatërrimi. Të gjithë ne kemi përgjegjësi të kujdesemi për çdo njeri në atë shtëpi që të ketë prosperitet dhe perspektivë. Ta ndërtojmë atë perspektivë këtu, të sigurojmë prosperitet për ne dhe për gjeneratat tona këtu. Të jemi solidarë njëri me trjetrin, por edhe të përkushtuar drejt suksesit, sepse çdo sukses është parakusht për sukses të Maqedonisë. Gëzuar Fitër Bajrami”, qëndron në urimin e Mickoskit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button