Site icon PORTALB

Çfarë do të bëjmë pa raketën?

Salajdin Salihi

Salajdin Salihi

Raketa kineze doli nga kontrolli dhe askush nuk e dinte se në cilin cep të botës do të binte.

Njerëzit plot ankth e ndiqnin lëvizjen e saj në kohë reale.

Bota është bërë kasaba globale.

Ata ndjeheshin më të lehtësuar kur raketa zhvendosej përtej territorit të tyre.

Shqetësimi pastaj mbartej në meridianin ose paralelen tjetër.

Njeriu flet për dhimbjen e botës, por e zë meraku vetëm për kokën e tij.

Duke ndjekur lëvizjen e raketës e pamë se bota ishte e vogël dhe ne jemi, siç thotë Migjeni, një hiç në gjirin e universit.

Derisa u morëm me raketën i harruam vuajtjet e çdoditshme.

I harruam aferat, padrejtësitë, marrëzitë.

I harruam politikanët, deputetët, ministrat, ligjet, kuvendet, qeveritë, bashkitë.

I harruam të ndershmit që vuajnë dhe keqbërësit që kënaqen.

Harruam ku shkelim dhe nuk i pamë gropat ku pengohemi çdo ditë.

E harruam pandeminë, borxhet dhe hallet e përditshmërisë.

Kishte edhe teori komploti, të zakonshme në vendin e gjakut dhe mjaltit, ku njerëzit besojnë se e keqja u vjen vetëm prej të tjerëve.

Vërtetë ishim nën ankth, por kishim me çfarë të merreshim.

Dhe raketa ra. Ankthi kaloi.

Tani çka do të ndodhë pa raketën?

A nuk ishte raketa një zgjidhje, si barbarët e Kavafisit?

Exit mobile version