Filipçe: Qytetarët duhet të paraqiten që të marrin termin për vaksinim

Qytetarët duhet të paraqiten në faqen e internetit vakcinacija.mk, pasi është mekanizmi dhe mënyra më praktike për të marrë termin të përshtatshëm për vaksinat kundër kovid-19. Kjo ishte thirrja të cilën e dërgoi dje ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, i cili tha se vaksinimi po zhvillohet mirë. Të vaksinuar janë rreth 110 mijë qytetarë nga të cilët 23 mijë janë rivaksinuar, ndërsa tani po vaksinohen 170 mijë qytetarë të cilët janë paraqitur në ueb-faqen vakcinacija.mk deri më 30 prill, transmeton Portalb.mk.

“Përveç kësaj janë raportuar rreth 130 mijë qytetarë. Nga numri i përgjithshëm i qytetarëve të regjistruar deri më 30 prill, të gjithë kanë marrë ose do të marrin termin deri më 15 maj. Qytetarët po ndjekin thirrjen për paraqitje në sajt, ndërsa nëse nuk ka mutacion të ri të virusit, me siguri do të fitojmë imunitetin kolektiv deri në fund të verës”, tha Filipçe.

Ai theksoi se procesi i vaksinimit vazhdon këtë javë me të njëjtën dinamikë, pra me vaksinimin e rreth 10 mijë qytetarëve në ditë në të gjitha pikat në të gjithë vendin.

“Po bie kufiri i moshës sipas numrit të të paraqiturve dhe diku është realisht deri në 40 vjeç, në disa qytete ku nuk ka numër të mjaftueshëm të regjistruar të qytetarëve të moshuar. Numri i qytetarëve të vaksinuar mbi moshën 70 vjeç është rreth 33 përqind. I ftojmë edhe të mëshuarit mbi 70 vjeç, pasi është ajo kategori kritike e qytetarëve që duam më shumë të mbrojmë”, shtoi Filipçe.

Këtë javë pritet të arrijnë rreth 10,000 vaksina Pfizer, pas një marrëveshjeje dhe një sistemi solidariteti të Bashkimit Evropian. Sipas njoftimeve, pritet edhe donacion nga ushtria kineze të arrijë më 15 maj, gjatë fundjavës, dhe sipas të gjitha atyre njoftimeve, do të përgatitet orari për shpërndarjen e vaksinave nëpër pikat e vaksinimit.

I pyetur se cilat janë pritjet në lidhje me arritjen e imunitetit kolektiv, derisa ekziston mundësia e krijimit të një mutacioni të ri të virusit, Ministri Filipçe tha se sipas supozimeve, një mutacion i ri i mundshëm i virusit mund të ndryshojë rrjedhën e krijimit të imunitetit kolektiv , por jo në mënyrë të konsiderueshme.

Filipçe shtoi se propozimet e reja për lehtësimin e masave kufizuese janë për shkak të trendit të zvogëlimit të numrit të të infektuarve dhe zbrazjes së konsiderueshme të kapaciteteve spitalore.

Sipas të dhënave të publikuara dje nga Instituti i Shëndetit Publik, ishin regjistruar 25 raste të reja me Kovid-19, 16 kanë vdekur dhe 408 pacientë janë shëruar.

Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me kovid në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë është 154.051, numri i pacientëve të shëruar është 138.370, numri i të vdekurve është 5.109 dhe numri i rasteve aktive është 10.572, nga të cilat 4.906 janë në Shkup .

Në repartet infektive po kurohen 748 pacientë me Kovid-19, nga të cilat 319 janë në Shkup.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button