RMV, propozohet lehtësim i masave kufizuese – ora policore të fillojë prej orës 24, objektet hotelerike të punojnë deri në 23:30
Shtabi kryesor i krizave pranoi propozimin e Komisionit për Sëmundje Infektive dhe në bazë të trendeve dhe kushteve epidemiologjike në vend, zvogëlimit të numrit të të hosptalizuarve dhe numrit të personave të infektuar, për seancën e nesërme Qeverisë i janë rekomanduar disa masa lehtësuese, transmeton Portalb.mk.
- Duke filluar nga 12 maji 2021, ndalimi dhe regjimi i veçantë i lëvizjes së popullsisë dhe automjeteve të transportit publik të fillojë nga ora 24:00 deri në 05:00 të mëngjesit.
- Në përputhje me këtë, koha e lejuar për punën e objekteve hotelierike për punë me vizitorë/mysafirë në pjesën e hapur të objektit hotelierik (vetëm tarracat verore, kopshtet dhe jo në pjesën e mbyllur) është deri në orën 23:30.
- Të gjitha ngjarjet dhe eventet mund të mbahen në përputhje me protokollet e dedikuara, me kapacitet deri në 30% të hapësirës së mbyllur.
- Protokolli i destinuar për fëmijët në kopshte duhet të ndryshohet, gjegjësisht lejohet të rritet numri i fëmijëve nga 15 në 20 në një grup.
- Palestrat dhe qendrat e fitnesit mund të fillojnë me kryerjen e veprimtarisë së tyre nëpër objekte.
- Lejohet përdorimi i pushimit vjetor për punonjësit shëndetësorë.
- Këto masa do të vlejnë deri në 18 maj 2021.
Përndryshe, pesë ditë më parë, përkatësisht nga data 5 maj, u vendos që ora policore nga ora 21:00 të fillojë në orën 23:00. Ky orar duhej të respektohet prej 5 majit deri më 15 maj, megjithatë duke u bazuar në situatën epidemiologjike KSI dhe ShQK, kanë propozuar paraprakisht lehtësim të masave.
Nga ana tjetër lokalet aktualisht punojnë deri në orën 22:30. Para kësaj lokalet kanë punuar deri në ora 20:30.