Site icon PORTALB

Dimitrov mendon se është koha për të filluar negociatat, Geer thotë se nuk ka ardhur koha për konferencën ndërqeveritare

Geer dhe Dimitrov, foto nga SÇE

Beteja jonë sot është në fakt betejë e Evropës me vetveten për të mbajtur fjalën e saj. Është koha që të fillojmë negociatat e merituara të anëtarësimit dhe kështu do të jemi fitues të përbashkët, tha zëvendës/kryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov sot në fjalimin e tij në konferencën për shtyp me Ambasadorin e BE-së, David Geer me rastin e Ditës së Evropës, 9 maj-in. Sipas tij, është luks për ne që të presim më gjatë, shkruan Portalb.mk.

“Shumica dërrmuese e vendeve anëtare duan që ne dhe Shqipëria të fillojmë negociatat me BE-në sa më shpejt të jetë e mundur. Nga ajo që kam kuptuar mendoj se ky është qëndrimi i KE-së, i cili tashmë rekomandoi çeljen e negociatave në tetor të vitit të kaluar. Ky është qëllimi ynë dhe ne po punojmë së bashku për atë qëllim. RMV i ka përmbushur të gjitha kushtet në përputhje me parimet evropiane dhe fillimi i negociatave është një gjë e merituar. Koha, vitet dhe brezat e humbur, përparimi i treguar në vitet e fundit dhe lidershipi i treguar në zgjidhjen e çështjeve të vështira janë provë nëse mund t’i besojmë BE-së në të gjithë Ballkanin. Beteja jonë është dhe beteja e Evropës me vetveten, për të mbajtur fjalën e saj. Është koha për të filluar negociatat e anëtarësimit. Urime 9 majin, Ditën e Evropës” tha Dimitrov.

Ai njoftoi se nesër do të udhëtojë në Bruksel me kryeministrin Zoran Zaev për takim me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Layen dhe se pritjet e tij janë të dëgjojë pozicionin e BE mbi integrimin evropian të Maqedonisë.

Ambasadori i BE-së në vend, David Geer tha se KE-ja ka punuar për të caktuar konferencën ndërqeveritare me Shqipërinë dhe RMV-në, por theksoi se gjërat ende nuk kanë mbërritur në atë pikë dhe se vendimi është në duart e Këshillit Evropian, dhe se çështja e RMV-së me Bullgarinë duhet të zgjidhet.

“Bashkimi Evropian inkurajon të dy palët të arrijnë një zgjidhje të pranueshme nga të dy anët.” tha ai.

Lidhur me çështjen e ndarjes së Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria,  që u ngrit gjatë vizitës së komisionerit Oliver Varheji ai tha se ndarja është gjithashtu vendim në duart e Këshillin Evropian të BE-së dhe se për momentin qëndrimi i KE-së mbetet i pandryshuar.

“Pozicioni i Komisionit Evropian është shumë i qartë, që nga fillimi KE është shumë e interesuar të shohë mbajtjen e konferencës ndërqeveritare me vendin tuaj, si dhe me Republikën e Shqipërisë, e cila, në fakt, do të thotë fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur. Nga ana tjetër, procesi i zgjerimit bazohet në merita dhe mendoj se të dy vendet kanë bërë shumë në kontekstin e këtij procesi. Sidoqoftë, tani është koha për të ecur përpara, për të bërë përparim”, tha ambasadori Geer.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të dyja i kanë përmbushur kushtet dhe kanë marrë dritë jeshile për fillimin e negociatave me BE-në. Megjithatë, ky proces ka mbetur në vend numëro pasi Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Flamuri i Maqedonisë dhe BE-së, Foto: Faktoje.al e modifikuar

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perendimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te antarët e Bashkimit Evropian.

Portugalia, si kryesuese e Bashkimit Evropian, dhe Komisioni Evropian ende shpreson që deri në fund të presidencës Portugeze, 30 qershor, të mbahet konferencë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut.

Exit mobile version