Beteja publike me Rusinë dhe Kinën

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian (BE) Oliver Varhely ka vizituar Ballkanin Perëndimor duke premtuar vaksina. Pas 14 muajve BE po bëhet më aktive me diplomacinë e saj të butë në Ballkanin Perëndimor. Mbi 3.3 bilionë dollarë, BE-ja ka ndarë mjete financiare për shtetet e rajonit, duke ndihmuar përmirësimin e ekonomive të shkatërruara nga pandemia dhe po ashtu lëshuar sinjale ndaj përpjekjeve ruso-kineze në Ballkan.

Në njërën anë ekspertët evropianë dhe amerikanë po diskutojnë lidhjet e reja trans-atlantike, kurse kryeministri i Maqedonisë së Veriut (MV) dhe ministri Shëndetësisë Venko Filipçe janë shfaqur së bashku me ambasadorin kinez në MV Zhang Zuo për të demonstruar vaksinat kineze që kanë arritur në vend dhe për të filluar vaksinimin masiv të popullatës me vaksina kineze dhe ruse e shumë më pak me “Pfitzer”, “Astra” dhe “Jenssen”.

Dy ditë pas, USAID-i Amerikan në MV kanë nënshkruar një marrëveshje mbi 8 milionë dollarë me qeverinë e MV-së. Në të njëjtën ditë janë lëshuar reagime të fuqishme nga ambasadorja amerikane në MV Katie Byrnes, në lidhje me korrupsionin dhe shtetin ligjor. Këtu kemi dy linja paralele që po zhvillohen javët e fundit në MV dhe rreth rajonit. Kryeministri Zaev gjithashtu ka deklaruar se “nuk na duhet BE-ja nëse vihet në pyetje çështja e identitetit maqedonas.”

Tjetra ka të bëjë me frymën anti perëndimore që po lind në MV, ku ish të përkëdhelurit e dikurshëm të BE-së dhe SHBA-së po mbajnë anën ruse dhe kineze të fuqisë së butë, ku po aty SHBA-ja ka investuar me vite dhe tash po humb bazën, pasi pjesa dërmuese e qytetarëve maqedonas është anti perëndimore dhe tepër religjioze.

Lëvizjet e reja tregojnë se qeveria e MV-së është në një dilemë serioze të politikës së jashtme dhe përparësive që kërkohen nga e njëjta. Përderisa ministri i Jashtëm i MV-së Bujar Osmani nga qendrat evropiane deklaron se e ardhmja e MV-së është në BE, në vendlindje diçka tjetër zyrtarët qeveritarë reflektojnë. Marshimi qeveritarë me vaksinat “Sinopharm” dhe ngritja e fuqisë së butë ruse po ashtu me “Sputnik- V”, dëshmon për fillimin e betejës publike në mes amerikanëve nga njëra anë dhe blloku tjetër i përbërë nga rusët dhe kinezët ku rastësisht apo për fat të keq po rrëshqet edhe MV pas Serbisë.

Aleanca e katërfishtë çuditërisht është krijuar shpejt pas pandemisë dhe ka marrë formë pas janarit të këtij viti kur qeveria e MV-së dështoi për të siguruar vaksina nga partnerët strategjikë.

Të gjendur para krizave të brendshme pandemike, evropianët dhe amerikanët lanë një hapësirë të gjerë veprimi për rusët dhe kinezët në përmbushjen e objektivave mesatare të diplomacive në Ballkanin Perëndimorë.

Reagimi amerikan në MV nuk ishte i rastësishëm, pasi SHBA ka folur edhe më parë rreth korrupsionit dhe institucioneve të dobëta të MV-së dhe kulturës së mosndëshkimit nga organet maqedonase. Kundërveprimi dhe kundërshtimi i ambasadores amerikane duhet kuptuar dhe interpretuar në flakëzën dhe pikëpamjen e Uashingtonit për të mbajtur pranë vetes shtetet e rajonit që rrëshqitën pa dashje nën ndikimin e diplomacisë së vaksinave ruso-kineze. Një gjë duhet kuptuar këtu se kinezët dhe rusët nuk do të zbrapsen nga pozitat e fituara në Ballkan, do të vazhdojnë të bëhen më tërheqëse në përmbushjen e kërkesave të qeverive për ndihmë për të dalë nga kriza shëndetësore dhe ekonomike.

Nga qëndrimet e fundit të qeveritarëve maqedonas, vërehet se eurot evropiane dhe dollarët amerikanë nuk kanë pasur ndikim dhe as që i kanë ndryshuar zemrat dhe mendjet e qytetarëve rreth favorizimit të SHBA-së dhe të BE-së përballë Rusisë dhe Kinës. Tani e tutje SHBA dhe në një farë shkalle BE-ja duhet të rishikojnë strategjitë e tyre për Ballkanin dhe të lëvizin në mënyrë propocionale ashtu siç kanë evoluar qëndrimet e qeverive ballkanike. Fundja, vendosja e mundshme e blloqeve dhe e sferave të reja të ndikimeve në Ballkan pas pandemisë do të vërtetojë rolin apo jo serioz të diplomacive ruso-kineze.

Një ndryshim loje dhe veprimesh nga qeveria e kryeministrit Zoran Zaev para veshëve dhe syve të amerikanëve në Shkup do të kishte pasoja fatale për MV në raportet me Bullgarinë dhe gjithashtu ndërlikime në fushën e brishtë të sigurisë kombëtare dhe të brendshme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button