Kryeministri dhe kreu i PD-së, Sali Berisha, ka deklaruar se largimi i LSI-së nuk do ta fusë në krizë qeverinë e djathtë pasi, sipas tij, ai dhe koalicioni i tij në Parlament kanë të gjithë numrat për të riformatuar qeverinë apo për tu votëbesuar.
Deklarata është bërë gjatë një konference për shtyp të kreut të ekzekutivit, i cili e quajti tërheqjen e LSI-së nga koalicioni si lëvizje të papërshtatshme dhe jo në kohën e duhur. Sipas Berishës, largimi i Ilir Metës nga qeveria u bë jo në përputhje me marrëveshjen që kishte PD-ja me LSI-në.
Kryeministri la të kuptohej se do të zëvendësoheshin ministrat e LSI-së, nëse kjo e fundit do të marrë vendimin për të kaluar në opozitë.
Gjatë interesimit të gazetarëve për ikjen e LSI-së nga koalicioni kryeministri deklaroi ndër të tjera se,
“Koha që u përzgjodh nga LSI ishte krejtësisht e përshtatshme. Largimi i LSI-së, jo në përputhje me marrëveshjen. Koalicioni ka funksionuar jo pa probleme, se të tillë s’ka. Largimi i LSI-së nuk e dëmton qeverinë. Është jashtë imagjinate që një forcë politike të jetë edhe në qeveri edhe në opozitë. Nuk mund të kishte koalicion parazgjedhor me LSI-në. Rama humbi nuk do të ketë qeveri teknike”, tha Berisha.