Katër vite pas

Katër vite kaluan nga sulmi terrorist mbi rendin kushtetues. Katër vite nga e enjtja e përgjakshme kur bazat e demokracisë u sulmuan paturpësisht nga ata që sot e kësaj dite nuk e pranojnë gabimin por dëshirojnë të trajtohen si heronj. Sepse për ata akti terrorist i sulmit ndaj parlamentit me qëllim të pengimit të transferit paqësor të pushtetit pas zgjedhjeve të lira dhe demokratike është akt i lartë patriotizmi. Për ata sulmi fizik ndaj parlamentarëve dhe tentativa për vrasje ndaj tyre është një vepër e madhe vetëmohuese që kërkon lëvdata dhe jo dënim me burg. Katër vite nga tmerri i përjetuar pasojat e të cilit viktimat vazhdojnë t’i vuajnë.

Katër vite më vonë pas asaj ngjarjeje makabre që na solli në buzë të humnerës dhe shumë afër luftës civile ballafaqohemi me paradokset e radhës.

Paradoksi i parë: Ata që shpëtuan pa u dënuar të hënën dolën në protesta për vëllezërit e tyre, bashkëluftëtarë të lirisë. Brohoritën për lirimin e tyre nga burgu sepse ata nuk qenkan në të vërtetë terroristë por vetëm njerëz që e kanë dashur atdheun, artistë, patriotë, njerëz familjarë familjet e të cilëve kanë vuajtur shumë sepse kryefamiljarët qenkan në burg. Po për familjarët e deputetëve që atë ditë u sulmuan paturpësisht a kishin ndonjë fjalë për të thënë këta patriotë të mëdhenj? Po për familjarët e Zijadin Selës të cilët nuk e dinin a është ai i gjallë apo i vdekur a kishin diçka për të thënë? Po për familjarët e Zaevit dhe të tjerëve që e shihnin, babain, nënën, bashkëshortin, bashkëshorten, birin ose bijën e tyre duke u sulmuar dhe duke u përgjakur përmes transmetimit direkt në televizion, a nuk kishin asgjë për të thënë patriotët? Apo mendojnë se disa familjarë janë thjesht më të vlefshëm se të tjerët dhe se gjaku i dikujt tjetër thjesht vlen më pak se i tyre?

Paradoksi i dytë: Organizatori kryesor, i arratisuri në Hungari, shkroi që e gjithë ajo ngjarje na paska qenë organizim i dikujt tjetër që atë ta nxjerrë organizator. E bukur kjo! Ai na paska qenë viktimë, edhe në kohën kur kishte pushtet absolut dhe kur klani i tij mafiokrat udhëhiqte me çdo pore të shtetit. Pra, gjithnjë sipas Gruevskit, kjo paska qenë një hajkë kundër tij, me qëllim që ta dënojnë për organizim të sulmit terrorist të 27 prillit. Sepse ai i shkreti vetëm punën e tij e ka bërë, asgjë më shumë. I bie që vetë Zoran Zaev i ka thënë Ivanovit të mos ia japë mandatin dhe ta vonojë punën e transferit të pushtet aq sa të mundet. Bile ndoshta edhe i është lutur: “Aman Gjorgji, mos ma jep mandatin, të lutem mos ma jep mandatin!” Sa patetike! Pastaj i bie që Zoran Zaev i ka organizuar protestat “Për Maqedoninë e përbashkët” të cilat filluan fill pas intervistës së Gruevskit që e pati atë kohë në Sitel ku tha se njerëzit nuk duhet të rrinë me papuçe nëpër shtëpi por ta marrin punën në duart e veta. Kushedi, ndoshta Zaev i ka thënë Gruevskit të flasë ashtu në emision, sepse ndryshe s’ka si të jetë ai iniciatori. Ky është me të vërtetë kulmi i absurdit pakuptimësia e të cilit thjesht nuk njeh kufij.

Paradoksi i tretë: Sot e kësaj dite ka njerëz që ende besojnë në paradoksin e parë dhe të dytë. Kjo duhet trajtuar si diçka shumë normale, nëse e marrim parasysh faktin se sot e kësaj dite ka ende njerëz që besojnë se toka është e rrafshët. E pra, ka ende shumë persona që nuk e kuptojnë seriozitetin e ngjarjeve të 27 prillit dhe fajin e kërkojnë gjetiu dhe jo aty prej ku buron. Ne kishim një regjim totalitar i cili përfundoi me koka të përgjakura dhe me tentativë për vrasje që ndodhi ne mes të kuvendit. Ne e pamë këtë të ndodhte me sytë tanë, në transmetim direkt në televizion. Dhe shumë njerëz ende nuk e besojnë atë që panë, ose më keq, e arsyetojnë atë. Dhe nuk janë pak njerëz por janë një masë e konsiderueshme që e mban këtë vend të ngujuar dhe në rrezik të përhershëm që ajo kohë të përsëritet.

Katër vite më vonë nuk kemi ende përgjegjësi të plotë për sulmin terrorist të 27 prillit. Gjykimi ndaj organizatorëve ende vazhdon, ndërsa i dyshuari kryesor është në arrati dhe pret ditët kur do të rikthehet si mesia i ringjallur, shpëtimtar i patriotizmit të vërtetë në Maqedoni. Katër vite më vonë ende nuk kemi distancim të mirëfilltë të partisë më të madhe opozitare nga kjo ngjarje makabre. Katër vite më vonë ata ende taktizojnë me retorikën e njëjtë dhe përhapin të njëjtat gënjeshtra. Katër vite më vonë ata ende nuk ndjejnë përgjegjësi, por vetëm krenari për atë që shkaktuan në atë të enjte të përgjakshme të vitit 2017.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button