Tre bulevarde të qytetit të Shkupit do të lidhen përmes dy rrethrrotullimeve që pritet të ndërtohen për dy vjet nga Qyteti i Shkupit, derisa vlera e tyre është rreth 18 milionë euro, transmeton Portalb.mk.
“-Bëhet fjalë për projekt të madh në vlerë totale prej rreth 18 milion euro, për të cilin dje e kemi filluar procedurën, punimet ndërtimore do t’i fillojmë gjatë muajit qershor, kurse realizimi duhet të zgjatë 2 deri 2,5 vjet”, premtoi kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, duke prezantuar që njëri do të jetë te nyja në Momin Potok, derisa tjetri te nyja afër Market Hubo.
Në plan paralajmërohet edhe asfaltimi i 1,600 metrave ndërmjet këtyre rretheve dhe deri në kyçjen me bulevardin Sllovenia, duke përfshirë edhe ndërtimin e dy urave për të mbuluar rrjedhjen e lumit Serava.
Këto rrugë do të përmbajnë edhe shteg për biçikleta dhe këmbësorë. Projekti parashikon ndërtimin e 2 urave në lumin Serava i cili rrjedh nën këtë rrugë.
Ndryshe, për hapësirën afër këtij rrethrrotullimi, Komuna e Karposhit e miratoi Planin e ri të detajuar urbanistik (PDU) i cili parasheh që të ndërtohen ndërtesa banimi, qendra tregtare, objekte afariste, hotele, si dhe objekte për institucione publike, ashtu që lartësia më e madhe e ndërtesave është kati përdhes plus 7 kate.