Site icon PORTALB

Për të përmirësuar cilësinë e ajrit në Shkup, nevojiten më shumë fonde dhe kontroll më i rreptë i ndotësve

Ajri i ndotur

Që të kemi përmirësim të dukshëm të cilësisë së ajrit në Shkup brenda një periudhe prej 2 deri në 3 vjet, nevojiten aktivitete të guximshme dhe gjithëpërfshirëse për të zgjidhur problemin e ndotjes së ajrit e jo fonde të vogla në buxhetet që ndahen çdo vit për këtë qëllim. Prioritet duhet të jetë zvogëlimi i ndotjes me grimcat PM, edhe atë nga më të rrezikshmet PM-1, PM-2.5, e më pas PM-10, thonë aktivistët civilë dhe shoqatat ekologjike të cilat i kontaktoi “Meta.mk”, pasi gjatë kësaj periudhe kemi botuar dy tekste ku monitorohet ndotja e ajrit në Shkup në periudhën nga dhjetori 2020 deri në mars 2021, transmeton Portalb.mk.

“Iniciativa O2” e qytetarëve për “Meta.mk” thonë se qytetarët e Shkupit thithin ajër të rrezikshëm për shëndetin, ndërsa për vite me radhë nuancat nëse kishte ndonjë përmirësim për një vit apo muaj të caktuar varen nga kushtet meteorologjike.

“Kemi reaguar që analiza e autoriteteve të qytetit në lidhje me përmirësimin nuk është e plotë nëse nuk përfshihen këto parametra: era, shpejtësia dhe drejtimi i saj, presioni, lagështia dhe temperatura e ajrit, sasia e reshjeve, dëbora, por edhe rezultatet nga të gjitha stacionet matëse “pa ndërpre për një periudhë të caktuar kohore për të cilën jepen analizat”, theksojnë ata.

“Iniciativa O2” thonë se nuk ka përmirësim të kënaqshëm të cilësisë së ajrit në Shkup, me faktin se kufiri për maksimumin prej 35 ditësh gjatë gjithë vitit, me mesatare mbi kufirin e lejuar – 50 mikrogramë/m3 për PM-10 grimcat, në Shkup e kapërcejmë që në muajt e parë të çdo viti.

“Sipas të dhënave nga marsi 2021 të publikuara në raportet nga Ministria a mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, në Qendër e kemi tejkaluar 43 ditë (por të dhëna nga stacioni tjetër matës Rektorati nuk ka për një muaj të tërë), për Lisiçe kufiri tashmë është tejkaluar 53 ditë, në Gazi Babë tejkalim ka pas 37 ditë, por ka ditë kur nuk ka pasur të dhëna”, thonë nga “Iniciativa O2”.

Eko-aktivisti Gorjan Jovanovski dhe krijuesi i aplikacionit “Ajri im” (Moj vozduh) thotë se kushtet meteorologjike, e dy vitet e fundit edhe pandemia kovid-19, kanë pasur ndikim në ndotjen e ajrit dhe numrat, megjithëse këta faktorë shpesh nuk gjenden në raportet e autoritetet qytet dhe shtetit.

“Pa e shikuar fotografinë e plotë, nuk është e mundur të dihet nëse vërtet kemi përmirësim të cilësisë së ajrit”, thotë Gorjan Jovanovski, duke shtuar se për të përcaktuar nëse ka pasur rritje apo ulje të ndotjes së ajrit në Shkup, duhet pritur mesatarja vjetore, e pastaj të bëhen krahasime.

Megjithatë deri sot, në ueb-faqen e Ministrisë për mjedis jetësor nuk ka raport vjetor për vitin 2020 lidhur me cilësinë e ajrit, megjithëse jemi në fund të prillit 2021. Për sa i përket rezultateve të cilësisë së ajrit të siguruara nga stacionet, në dispozicion janë vetëm raportet ditore dhe mujore.

“Kemi qasje të keqe ku harrojmë se ndotje ka edhe në muajt e verës dhe kjo ‘na befason’ përsëri kur vjen tetori. I mirëpres subvencionet për zëvendësimin e ngrohësve shtëpiakë të dëmshëm, por besoj se inspektorët nga komunat më të ndotura duhet të shkojnë derë më derë, dhe të insistojnë që pronarët t’i përdorin ato. Kjo nuk duhet të jetë në baza vullnetare, por nëse nuk ka shpenzime nga familjet, ato duhet të detyrohen me ligj,” tha Gorjan Jovanovski për “Meta.mk”.

Edhe ai, por edhe “Iniciativa O2” shtojnë se lufta kundër grimcave PM duhet të jetë gjëja e parë në mendjen tonë, ndërsa si më të rrezikshmet ata i theksojnë grimcat më të vogla PM, të cilat banorët e Shkupit thithin dhe hyjnë në organe të ndryshme, ku transmetohen përmes mushkërive në qarkullimin e gjakut.

Nga “Eko-vetëdija” (Eko-svest) në një prononcim për “Meta.mk” thonë se duke krahasuar matjet nga viti 2017, krahasuar me vitin 2020 dhe 2021, mund të shihet progres dhe lëvizje pozitive me ndotjen e ajrit, sepse numri me ndotje jashtëzakonisht të lartë, që është shumë herë mbi vlerat kufitare, ulet. Në realitet, krahasimet midis sezonit të kaluar dhe këtij dimri tregojnë se ndryshimi është shumë i papërfillshëm.

Sidoqoftë, “Eko-vetëdija” vë në pah ka shumë hapësirë ​​për përmirësim në monitorimin e cilësisë së ajrit, sepse instrumentet matëse shpesh nuk funksionojnë,n vërsa nga ana tjetër, këtë vit kemi të dhëna për grimcat PM-2.5 nga katër matëse stacionet në Shkup, në krahasim me dy të vitit të kaluar.

“Për fat të keq, ne kemi shumë pak matje në lidhje me llojin e ndotjes që nuk janë grimca PM, dhe megjithëse tani për tani ata thonë se ndotësit tjerë janë nën kontroll, ne nuk e dimë me siguri përse ata sensorë numërohen në gishta. rjeti shtetëror i monitorimit duhet të azhurnohet urgjentisht me më shumtë sensorë për NO2, CO, SO2 dhe O3, si në vendet ekzistuese ashtu edhe në vendet e reja, nëse vërtet duam të dimë se çfarë po thithim”, thotë Gorjan Jovanovski.

Nga “Eko-vetëdija” shtojnë se problemi duhet të vazhdojë të zgjidhet me bashkëpunim ndër-sektorial dhe një strategji gjithëpërfshirëse, në përgatitjen e së cilës do të përfshihen të gjitha institucionet përkatëse dhe qytetarët.

Ata thonë se ka pasur përparim të qëndrueshëm në zëvendësimin e ngrohjes joefikase dhe ndotëse në familje, veçanërisht me thirrjen e fundit të UNDP ku grupet e lëndueshme janë të synuara për subvencionim prioritar.

“Qyteti dhe komuna duhet të jenë shumë më aktive në de stimulimin e trafikut me makina duke zgjeruar dhe përmirësuar hapësirën për lëvizje jo-motorike nëpër qytet”, theksojnë nga Eko-vetëdija.

Nga ana tjetër, për qeverinë qendrore thonë se ajo duhet të përfshihet në mënyrë më aktive në kontrollimin e objekteve industriale dhe më shumë vëmendje duhet t’i kushtohet pajisjeve ndihmëse të industrive sepse oxhaqet nuk janë burimi i vetëm i ndotjes.

“Gjatë kësaj periudhe, duhet të punojmë në ngritjen e kapaciteteve të inspektorateve për të mundësuar inspektime më të shpeshta” shtojnë nga “Eko-vetëdija”.

Nga “Iniciativa O2” thonë se ka përmirësim në rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve në lidhje me problemin e ndotjes së ajrit, ndërsa shihet që përmirësim, me rritjen e numrit të inspektimeve të kryera, ka vetëm në Inspektoratin shtetëror i mjedisit jetësor.

“Më në fund po presim një plan të vërtetë veprimi ku ata vërtet do të përcaktojnë se çfarë duhet bërë për të sjellë vlerat e PM2.5 dhe PM 10 brenda kufijve të lejuar brenda 2 deri në 3 vjet. Me afate të përcaktuara saktësisht, persona përgjegjës dhe sa do të kushtojë”, theksojnë nga “Iniciativa O2”, duke aluduar në zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë, e kështu ata besojnë se ky problem do të jetë përsëri i pranishëm në programet e partive politike.

Exit mobile version