Arvanitët – histori e dhimbshme arbërore

Arvanitët janë të farës e të gjakut arbëror. Ata qysh në mesjetë emigruan masivisht në Greqi, ku vazhdojnë të jetojnë edhe aktualisht. Në dallim prej tyre, çamët janë autoktonë në trojet e mbetura nën thundrat greke pas copëtimit të Shqipërisë në vitin 1913.

Arvanitët njihen si racë hijerëndë, besnike dhe e fortë. Këto veti janë përshkruar herët në faqe librash, që hedhin dritë edhe për shkaqet e shkuarjes së tyre në krahinat e rrezikuara greke nga invazioni  i serbëve, bullgarëve, normanëve…, që ndodhën kur nisi shembja e Perandorisë Bizantine, e cila, e frikësuar për fatin e saj dhe e paaftë për të mbrojtur kufijtë perandorakë me ushtri të rregullt, sendërtoi idenë e krijimit të vedbanimeve ushtarake, ku zunë rrënjë mijëra familje arvanitësh, që shquheshin për shkathtësitë luftarake. Burrat e këtyre vendbanimeve, krahas punëve bujqësore e blegtorale, bënin dhe stërvitje të rregullta ushtarake. Ata obligoheshin të kenë kuaj të shpejtë dhe armë cilësore me të cilat do ta mbronin Greqinë në pikat më të rrezikuara. Duke qenë se vendbanimet me tipare kazermash u formuan pothuajse tërësisht nga shqiptarët e ardhur nga Arbëria, ato quheshin katun-e.

Në veprën “Arvanitët” të Irakli Koçollarit (Naimi, Tiranë 2012), gjejmë të dhëna interesante për aftësitë e veçanta të arvanitëve të ngulitur prej shekujsh në krahinat e zbrazura por stretegjike të Greqisë: Ata janë të armatorur shumë më lehtë se frangët dhe pothuaj pa torakse metalike. Kanë përgatitje të mrekullueshme për kalorësi dhe për përdorimin e armëve. Janë të shpejtë, të rrezikshëm, të stërvitur dhe tepër të aftë për luftë. Veshja e tyre, armatimi i tyre, strategjia e tmerrshme dhe taktika luftarake që kanë përvetësuar është një sistem që i dedikohet traditës së lashtë që kanë pasur dhe i bën ata tepër të veçantë. Janë një racë e qëndrueshme, diet-pakët, të disiplinuar dhe besnikë ndaj besës – fjalës së dhënë…

Nga Irakli Koçollari mësojmë se shqiptarët e gatshëm të luftojnë e të lënë kokat për lirinë e të tjerëve, ishin të mirëseardhur edhe për vendet tjera evropiane. Për shërbimet që i bënin si mbrojtës të sovranitetit grek, arvanitëve u ofroheshin toka pjellore, leje për ndërtimin e  shtëpive, tapi të përhershme pasurishë të patundshme dhe liroheshin prej tatimeve shtetërore. I vetmi obligim që kishin ndaj vendit nikoqir ishte gatishmëria për ta mbrojtur atë sa herë që sulmohej nga ndonjë forcë e huaj dhe detyrimi që mos t’i braktisin vendbanimet ushtarake.

Atyre u lejohej që të jetojnë si bashkësi të mëdha unike, gjë që mundësoi mbijetesën disashekullore të tipareve identitare arbërore. Dëshmi për këtë janë emrat tipikë arvanitas, si: Kola, Noti, Panushi, Naçi, Nasho, Gogo, Dede, Laska, Leka, Xhima, Lako, Ziko, Maro…, dhe akoma më shumë emrat e vendbanimeve (toponimet) që, me kalimin e kohës, u bënë arvanitase dhe u pagëzuan në të folmen e tyre: Kakadhi, Kakaruka, Karatula, Kokla, Kryekuqi, Likuresi, Lopesi, Gortina, Mazaraqi, Mezi, Gerbeshi, Borgji, Sgura, Basta, Suli, Shpata, Kalenxhi, Kuçi, Mesinia…

Për numrin jashtëzakonisht të madh të familjeve arvanitase të vendosura kryesisht në krahinat e shkreta të Thesalisë dhe Greqisë Perëndimore, kanë shkruar historianë e kronikanë të njohur, që në shekujt e mugët të mësjetës. Arvanitët i lëvdoi edhe perandori bizantin Manuil Paleologu, që ishte tejet i kënaqur me vendosjen e tyre në principatën e Moresë. Ata derdhën lumenj gjaku për Greqinë, e cila, në sajë të politikave hegjemoniste ua “shpërbleu” me ndrydhjen graduale të arbërishtes që u intensifikua veçmas pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo bëri që arvanitët të tjetërsohen dhe të mbeten relikti që sot përfaqëson njërën nga faqet më të dhimbshme të historisë sonë gjatë mileniumit të shkuar. Kjo sigurisht flet dhe për shkaqet e tkurrjeve të vazhdueshme të Shqipërisë si në territor, ashtu edhe në numër banorësh.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button