RMV, deri në qershor, përmes mekanizmit Kovaks vendi duhet të marrë 100.620 doza të vaksinës “Pfizer”

Lidhja Globale për Vaksina dhe Imunizim (GAVI) planifikon që në tremujorin e dytë të këtij viti të dorëzojë afërsisht 14.1 milion doza të vaksinave kovid-19 në 47 vende të botës. Vendi ynë, së bashku me Bosnjë e Hercegovinën dhe Kosovën, deri në qershor, duhet të marrin 100.620 doza të vaksinës Pfizer përmes mekanizmit KOVAKS. Kjo do të nënkuptonte se Maqedonisë për tremujorin e dytë të këtij viti do t’i arrijnë vaksinat kundër kovid-19 të “Pfizer / Biontek”, pasi në tremujorin e parë të vendit u shpërndanë vaksinat nga “Astra Zeneka”, transmeton Portalb.mk.

Edhe përkundër vonesave në shpërndarjen e vaksinave përmes mekanizmit Kovaks që u shfaq në fillim të vitit, Maqedonia më 28 mars të këtij viti mori 24.000 doza të vaksinës “AstraZeneka”, e cila aktualisht vaksinon popullatën më të vjetër se 77 vjet. Deri në fund të prillit, përmes këtij mekanizmi pritet të arrijnë 76.000 dozat tjera të mbetura të vaksinës AstraZeneka, të cilat do t’i arrijnë vendit përmes Lidhjes globale të vaksinave dhe imunizimit (GAVI).

Megjithëse mekanizmi Kovaks nuk i përmbush pritjet për shpërndarjen e vaksinave gjatë marsit dhe prillit të këtij viti në të gjithë botën, nga GAVI tani njoftojnë se ata do t’i dorëzojnë dozat e kërkuara në të gjitha vendet që kërkuan vaksina në gjysmën e parë të vitit.

“Po përballemi me një sfidë të frikshme, pasi duam t’i japim fund fazës akute të pandemisë: do të jemi të sigurt vetëm kur të gjithë janë të sigurt dhe përpjekjet tona për të siguruar dozat e nevojshme varen nga mbështetja e vazhdueshme e qeverive dhe prodhuesve të vaksinave”, tha Seth Berkeley,  drejtor i përgjithshëm i GAVI-it, raporton Deutsche Welle në gjuhën maqedonase.

Ndryshe, ministri i Shëndetësisë në vend, Venko Filipçe dje paralajmëroi se do të arrijnë dy mijë vaksina kineze në formë të donacionit nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Filipçe potencoi se këto vaksina kineze do të përdoren për vaksinimin masiv i cili tashmë ka filluar, ndërkaq me ata do të vaksinohen grupet të cilat do ta kenë radhën sipas planit strategjik për vaksinim.

“Sot do të arrijë një donacion me vaksina kineze. Dy mijë, që do të arrijnë në Aeroportin e Sofjes, ndërsa gjatë ditës do të mbërrijnë në vendin tonë. Kemi organizuar transportin. Tashmë automjeti është nisur për në Sofje”, tha ministri Filipçe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button