Protestuesit ia kthyen shpinën Gjykatës: Të rikualifikohet rasti “Sazdovski”, të dënuarit nuk kanë kryer vrasje mizore

Sot në Çair të Shkupit kanë protestuar qytetarë të revoltuar ndaj aktgjykimit për rastin e vdekjes së komitit Nikolla Sazdovski, për të cilin dy të akuzuarit Skender Demiri dhe Besir Bela u dënuan për “vrasje mizore” me nga 16 vite burg, ndërkaq për të akuzuarin e tretë po zhvillohet proces gjyqësor me të njëjtën akuzë. Protestuesit ia kthyen shpinën Gjykatës në shenjë pakënaqësie me vendimin e marrë dhe kërkuan rigjykim dhe rikualifikim të rastit, njofton Portalb.mk.

Nën organizimin e familjarëve të të dënuarve në rastin “Sazdovski”, sot në Shkup është mbajtur marsh protestues paqësor me moton “Nuk kemi kryer vrasje mizore”. Protestuesit u nisën prej parkut të Çairit, ndërkaq marshin e vazhduan nëpërmjet Çairçanjës, Bit Pazarit dhe deri para Gjykatës.

Video nga: Faton Curri

Organizatorët e protestës i shpalosën 30 parulla me kërkesa për drejtësi. Para gjykatës, fjalimin e protestës e mbajti Besar Bela, vëllai i njërit prej të dënuarve në këtë rast. Ai tha se rasti ka qenë i rastësishëm dhe nuk bëhet fjalë për vrasje mizore.

”Të dënuarit nuk kishin dëshirë t’ia marrin jetën, qëllimi ishte vetëm sulm fizik, por përfundoi me vdekje aksidentale. Ndodhi spontanisht, pa ndonjë planifikim paraprak. Pra, të dënuarit nuk kishin dëshirë t’ia marrë jetën.  Ata asnjëherë nuk kanë menduar për vrasje, e aq më pak për vrasje mizore. Ka prova e dëshmi të ndryshme, por që qartë nuk duan t’i marrin parasysh. Vrasje mizore ishte rasti i Almirit, por thonë se ishte aksident me pasojë vdekje. E sikur Besiri të quhej Boban, ndoshta nuk do të dënohej me 16 vite burg. Sikur Skenderi të quhej Boban, nuk do të akuzohej për vrasje mizore. Sikur Jetoni të quhej Boban, kjo protestë nuk do të ndodhte”, tha Bela.

Ai shtoi se kërkojnë rigjykim dhe rikualifikim të rastit dhe drejtësi nga Gjykata Supreme.

“Ky është vendim i njëanshëm dhe nuk e pranojmë këtë vendim. Ky është vendim i pabazë. Kërkojmë rishqyrtim të vendimit. Kërkojmë rikualifikimin e lëndës së mëhershme nga “vrasje mizore”, në “dhunë me pasoja vdekje”, siç është e vërteta. Kërkojmë drejtësi nga Gjykata Supreme. Kërkojmë të vërtetën”, tha Bela.

Pas fjalimit, të gjithë protestuesit ia kthyen shpinën gjykatës në shenjë revolte ndaj vendimit për rastin në fjalë. Në fund, organizatorët vendosën një banderolë me gjuhën e shenjave me kuptimin “Drejtësi”.

Rasti “Sazdovski”

Bëhet fjalë për rast i cili ka ndodhur më 29 qershor të vitit 2018 rreth orës 17 e 45 në bulevardin “Aleksander Makedonski” në vendbanimin “Autokomandë”, në stacionin e autobusëve para fabrikës Alkaloid. Sipas Prokurorisë, Besir Bela, Skender Demiri dhe Jeton Luzha e kanë takuar dhe ia kanë kërkuar letërnjoftimin Nikolla Sazdovskit. Pasi Sazdovski e ka konfirmuar identitetin, të akuzuarit kanë filluar ta rrahin. Prokuroria, dhe më pas Gjykata vlerësuan se nga goditjet e forta Sazdovski e ka humbur drejtpeshimin dhe ka rënë me kokë në trotuar, më pas, sërish e kanë goditur në kokë dhe nëpër trup. Nga goditjet Sazdovski ka marrë lëndime të rënda, për çka është hospitalizuar dhe ka ra në komë. Nga lëndimet e mara, Sazdovski më 9 korrik të vitit 2018 ndërroi jetë në Klinikën për Anestezion Reanimacion dhe Mjekim Intensiv – KARIL në Qendrën Klinike “Nëna Tereza”.

Të akuzuarit Prokuroria i ndoqi për vepër penale “Vrasje mizore”, për çka Gjykata Penale i dënoi Besir Belën dhe Skender Demirin me nga 19 vjet burg. Ata u ankuan në Gjykatën e Apelit, e cila ua uli dënimin në 16 vjet burg.

Momentalisht po zhvillohet proces gjyqësor për Jeton Luzhën, i cili paraprakisht u arratis në Gjermani, por në shtator të vitit 2020 u ekstradua në Maqedoninë e Veriut.

Vrasja e të riut Sazdovski, ashtu siç u shkrua në media, është kryer si pasojë e gjuhës së urrejtjes, gjegjësisht tre të akuzuarit për vrasje dhe ai, me javë të tëra, paraprakisht janë përleshur verbalisht në internet në linjë etnike. Madje ashtu siç mund të shihet, profili në “Facebook” i të ndjerit Sazdovski ka qenë i mbushur me gjuhë të urrejtjes, ashtu sikur shumë profile tjera, jo vetëm të anëtarëve të tifo-grupeve, por edhe të personave të fushës së mediave, politikës, jetës publike etj.

Edhe pse gjuha e urrejtjes është vepër penale që dënohet me burg prej 1 deri më 5 vjet, praktika në Maqedoni tregon se askush deri më tani nuk është dënuar për një gjë të tillë. Mungesa e veprimit preventiv të autoriteteve ka krijuar hapësirë që lehtë të rinjtë të manipulohen dhe të nxiten, nga personat të cilët veprojnë për poentime politike, nëpërmjet organizatave të ndryshme, por edhe tifo-grupeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button