Site icon PORTALB

Klinika ‘Zhan Mitrev’ shpalosi në detaje uljen e çmimeve për pacientët me koronavirus

Klinika "Zhan Mitrev"

Spitali klinik “Zhan Mitrev” njoftoi se në përputhje me takimin e mbajtur me ministrin e Shëndetësisë Venko Filipçe, dhe me qëllim të përmbushjes së nevojave të sa më shumë qytetarëve në këtë situatë të vështirë, nga sot mundëson pako për trajtim të Kovid-19, transmeton Portalb.mk.

Deri më tani, pacientët kanë paguar 12.000 euro, tani e tutje për pacientët të cilët do të trajtohen në kujdes gjysëm-intensiv, trajtimi që zgjat deri në 10 ditë do të kushtojë 6.000 euro, për pacientët që kanë nevojë për trajtim intensiv, gjegjësisht që merren në gjendje të rëndë shëndetësore nga të tjera institucione ku kanë qenë të hospitalizuar, çmimi për një trajtim maksimal prej 10 ditësh do të jetë 8000 euro. Një hemofiltrim më parë kushtonte 4000 euro, tani me ulje prej 10 përqind do të kushtojë 3600 euro. Kjo metodë e trajtimit zbatohet me pëlqimin e familjes së pacientit, njoftojnë nga ky spital.

Nga spitali informojnë se duke pasur parasysh pasojat e mundshme serioze post-kovid, gjegjësisht komplikimet e mundshme pas infeksionit nga virusi, për të gjithë pacientët të cilët janë trajtuar në qendrën Covid në këtë spital, mundësojnë ulje prej 50% të çmimit të shërbimeve për MR të zemrës dhe CT të mushkërive.

“Siç kemi informuar në shumë raste deri më tani, kapacitetet tona janë vazhdimisht të mbushura dhe kemi një listë pritjeje. Momentalisht të hospitalizuar janë rreth 100 pacientë të sëmurë rëndë, 40 prej tyre me mbështetje respiratore. Për këto pacientë kujdeset ekip i plotë mjekësor i cili, si të gjithë punonjësit shëndetësorë në vend, tashmë është i rraskapitur. Në procesin e kujdesit në spitalin tonë janë përshirë edhe një pjesë vullnetarësh nga personeli jo-mjekësor, me qëllim që të ndihmojnë kolegët e tyre. Sidoqoftë, që të ndihmojmë kudo që është e nevojshme dhe mundemi, një nga mjekët tanë do të shpërndahet sipas kërkesave të Ministrit të Shëndetësisë”, thuhet në deklaratën e Klinikës ‘Zhan Mitrev’.

Nga ky spital i bëjnë thirrje publikut të gjerë dhe e fton cilindo që ndihet i aftë të ndihmojë dhe që do të dëshironin të paraqiten vullnetar, të aplikojnë.

“Do të edukohen dhe përfshihen plotësisht në proceset tona. Sinqerisht shpresojmë që pandemisë së shpejti t’i vijë fundi , në ndërkohë është e nevojshme që të gjithë të qëndrojmë maksimalisht të disiplinuar, të përkushtuar dhe të investojmë si individë në trajtimin e pasojave për të mirën e të gjithëve”, thuhet tutje në deklaratë.

Exit mobile version