Parlamenti i Kosovës ka filluar seancën për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, kua kandidatë janë Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta. Pas tentimit të parë për votim, dështoi votimi me 79 vota, për çka udhëheqësi i seancës Glauk Konjufca vendosi për pauzë. Pas pauzës, Konjufca vendosi që seanca të vazhdojë nesër prej orës 17:00, raporton Portalb.mk.
Tetëdhjetë e katër deputetë ishin të pranishëm në seancë duke plotësuar kushtet për fillimin e seancës, por në kutinë e votimit, pati më pak vota se 80 vota, duke mos e plotësuar kushtin për kuorum.
Në dy raundet e para për zgjedhjen e presidentit duhen 80 vota, derisa presidenti mund të zgjedhet në raundin e tretë me 61 vota për, por me prezencën e 80 deputetëve.
Ndryshe, mandati i presidentit mbaron më 5 maj, ndërsa 30 ditë para përfundimit të mandatit duhet të fillojnë procedurat për votim, në bazë të nenit 86.2. Dështimi për të zgjedhur presidentin, e dërgon vendin në zgjedhje.
Më 22 mars të këtij viti, Kuvendi i Kosovës me 67 vota “për” dhe 30 vota “kundër” nga 107 deputetët e pranishëm, ka votuar Qeverinë e re të Kosovës me kryeministër Albin Kurtin, si kandidat e kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje. Formimi i Qeverisë erdhi pas formimit të Legjislaturës së VIII-të të Kuvendit, si rezultat i zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Ndërkohë, nga 5 nëntori i vitit 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje, detyrë të cilën e ushtroi pastaj Vjosa Osmani, për të vazhduar tani Glauk Konjufca.
- LEXO: Presidenti Konjufca pas takimit me Kurtin dhe Osmanin: Kuvendi duhet të fillojë zgjedhjen e Presidentit më 5 prill, askush nuk i dëshiron zgjedhjet
- LEXO: Kurti opozitës: Zgjedhni, Vjosën presidente me 80 vota ose zgjedhje me 500 mijë vota për VV-në