Nis vaksinimi i punonjësve të policisë në Shqipëri

Këtë të shtunë nisi vaksinimi për punonjësit e policisë. Efektivët e parë të Policisë së Shtetit u vaksinuan në pikat e ngritura në stadiumin “Air Albania”, transmeton Klan. Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, dhe ministrja e Shëndetësisë, Oferta Manastirliu, treguan se ditën e sotme do të vaksinohen 600 punonjës. Me këtë numër është parashikuar që të vijohet edhe çdo ditë për ditët në vijim.

Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, u shpreh se mes të vaksinuarve janë punonjësit e forcave të rendit, atyre të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe forcave RENEA.

Mësohet se vaksinimi i punonjësve të policisë ka filluar edhe në rrethe. Nisjen e procesit të vaksinimit për policët e ndoqi edhe kryeministri Edi Rama. Gjatë bisedës me Veliun dhe Manastirliun ai mbrojti vaksinën kineze të ardhur në Shqipëri duke cituar një artikull të The Times.

“Dje ishte shumë interesant, kishte nxjerrë The Times një artikull bazuar në të dhënat e deritanishme dhe Sinovac ishte i pari në eficencë”, tha Rama.

Gjithsej janë 11 800 mijë punonjës policie për t’u vaksinuar, ndërkohë që në radhët e Gardës së Republikës do të vaksinohen mbi 1300 punonjës. Ditën e djeshme, kryeministri Edi Rama njoftoi nisjen e vaksinimit për policët ndërkohë që po të premten u vaksinuan edhe gazetarët e terrenit.

Deri më tani në Shqipëri janë vaksinuar mësuesit, bluzat e bardha dhe po vijon vaksinimi i të moshuarve mbi moshën 70-vjeç. Aktualisht në vendin tonë kanë hyrë 4 lloje të ndryshme vaksinash, Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe Sinovac.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button