“Boll më” vazhdoi me protestat kundër çmimit të energjisë elektrike

Nisma qytetare “Boll më” vazhdoi me protestat kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike dhe neglizhencës së institucioneve ndaj kërkesave të tyre të parashtruara që nga viti i kaluar, transmeton Portalb.mk.

Reagimi i nismës sot është përmes bllokimit të autostradës, duke paralajmëruar organizatorët veprime të tilla deri në plotësimin e kërkesave, si shenjë reagimi ndaj institucioneve si EVN, ELEM, MEPSO, KRRE.

Në muajin shkurt ata gjatë konferencës për media të mbajtur para Qeverisë, akuzuan EVN-në se lëshon fatura paushallë të energjisë elektrike, të cilat nuk pasqyrojnë harxhimet reale që bëjnë qytetarët. Sipas argumenteve të kësaj iniciative, të cilat i bazojnë në burime të ekspertëve të fushës, Instituti metrologjik pranë Ministrisë së Ekonomisë, i cili është i vetmi institucion i licencuar për kontrollimin e orëmatësve të EVN-së, nuk ka laborator personal, por vetëm i vulos vendimet që i merr nga EVN.

Iniciativa qytetare “BOLL MË”, për disa muaj me radhë në vazhdimësi mban aktivitete, duke përfshirë edhe një seri protestash, për të shprehur revoltën ndaj rritjes së çmimit të energjisë elektrike si dhe faturat e larta që u adresohen amvisërive.

Në kuadër të këtyre aktiviteteve, më 18 dhjetor, ata hapën në Tetovë zyrë e cila ofron ndihmë juridike falas nga persona përkatës të kësaj fushe, për të gjithë qytetarët të cilët konsiderojnë se janë dëmtuar nga kompania EVN dhe KRRE.

Ata kërkojnë, anulimin e rritjes së fundit të çmimit së energjisë elektrike, zbritjen e çmimit të kilovatit për 46%, eliminimin e monopolit të EVN-së, uljen e TVSH-së nga 18% në 5%, krijimin e një trupi të tretë arbitrar i cili do të monitoroje punën e EVN-së, si dhe do të shqyrtoje kërkesat-ankesat e konsumatorëve, faljen e borxheve të akumuluara të rasteve sociale si dhe shlyerjen e kamatë-vonesave për të gjitha shtresat e konsumatorëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button