PE-ja nesër do të votojë për raportin vjetor të RMV-së dhe amendamentet që shqetësuan lidershipin politik bullgar

Parlamenti Evropian nesër do të diskutojë dhe votojë mbi Raportin vjetor për Maqedoninë e Veriut, për të cilin grupet e të Gjelbërve dhe Socialistëve paraqitën propozime për ndryshime dhe plotësime, të cilat i referohen sjelljes së papërshtatshme dhe provokuese të autoriteteve bullgare, transmeton Portalb.mk.

Në amandament, përfaqësues të qeverisë bullgare janë akuzuar për deklarata provokuese mbi çështjet historike që prekin Maqedoninë e Veriut dhe u bëjnë thirrje autoriteteve bullgare të përmbahen nga bërja e deklaratave të tilla pavarësisht fushatës zgjedhore që po zhvillohet në Bullgari.

Propozimi u paraqit nga katër eurodeputetë nga grupet Socialiste dhe Të Gjelbërit: Tonino Picula (Kroaci), Tanja Fajon (Slloveni), Andreas Schieder (Austri) dhe Marek Belka (Poloni), ndërsa në amandament qëndron se “dënohen deklaratat e fundit provokuese të përfaqësuesve qeveritar të Bullgarisë mbi çështjet historike që prekin Maqedoninë e Veriut, që është në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë dhe u thirren autoritete bullgare të përmbahen nga deklaratat e tilla edhe përskaj fushatës zgjedhore e cila është në zhvillim e sipër Bullgari” Njëkohësisht, në amandamendtin e dytë përshndetet përgjigjja e pjekur dhe e ekuilibruar e përfaqësuesve të qeverisë së Maqedonisë së Veriut ndaj këtyre provokimeve.

Deputetët bullgarë kanë njoftuar se do të votojnë kundër ndryshimeve, të cilat, siç vlerësojnë, përmbajnë kualifikime të papranueshme për Bullgarinë.

Eurodeputeti nga Partia Popullore evropiane, Andrei Kovaçev, deklaroi se PPE në shenjë solidariteti e mbështet Bullgarinë dhe ka paraqitur dy amandamente, të cilat lidhen me mungesën e progresit në zbatimin e rekomandimeve të mëparshme të Parlamentit Evropian për diskriminimin e qytetarëve që shprehin hapur identitetin e tyre bullgar.

Eurodeputeti Angel Xhambaski nga grupi i konservatorëve dhe reformistëve evropianë tha se “korrigjimet skandaloze të bëra nga të Gjelbrit dhe Socialistët, janë bërë në moment të fundit, ndërsa akoma më skandaloze është që kryetari i Partisë së socialistëve evropianë është Sergei Stanishev, i cili është përfaqësues bullgar në PE”.

Socialistët bullgarë, përmes një deklarate, njoftuan se nuk do të votojnë për amandamentin. Ata në deklaratën e tyre, konfrontohen hapur me pikëpamjet e Krasimir Karakaçanov dhe e akuzojnë atë për publikimin e hartave dhe me deklaratat e tij të pashembullta minon plotësisht pozicionin e Bullgarisë në Evropë. Kështu, sipas tyre, Bullgaria nuk merr mbështetje, por rezoluta të reja.

Përndryshe zëvendëskryeministri bullgar, Krasimir Karakaçanov disa herë ka bërë deklarata provokuese kundrejtë Maqedonisë së Veriut. Së fundmi duke uruar 8 marsin në profilin e tij në Facebook, ai kishte publikuar një hartë, ku një pjesë të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Greqisë dhe Serbisë, i bënte pjesë të Bullgarisë.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perendimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te antarët e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button