Site icon PORTALB

RMV, masat e pakos së pestë do të presin, seancat parlamentare janë prolonguar për shkak të deputetëve të infektuar me Covid-19

Kuvendi

Kuvendi nuk do t’i votojë ligjet në lidhje me pakon e pestë të masave antikrizë për Covid-19, derisa partitë qeveritare nuk sigurojnë shumicën, përkatësisht 61 deputetë. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferidje nënshkroi vendimin për prolongim të pacaktuar të seancës së 36-të, e cila ishte planifikuar të mbahej sot. Qeveria mbrëmë u bërë thirrje deputetëve që bllokojnë punën e Kuvendit të tërhiqen nga “ajo mënyrë destruktive e veprimit”, shkruan MIA, transmeton Portalb.mk.

Në mes pikave në rend të ditës në këtë seancë janë ligjet nga pakoja e pestë e masave për ballafaqim me Covid-19. Pika e parë e kësaj seance është propozuar edhe vazhdimi i gjendjes së krizës në kufirin jugor dhe verior, për çka Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë dorëzuar rreth 400 amendamente, diçka që siç tha Xhaferi, nuk ka ndodhur deri më tani. Përpos këtyre, në rend dite janë edhe interpelanca e opozitës, propozim ligji për anulimin e ligjit për regjistrim i propozuar nga VMRO – DPMNE etj.

Xhaferi u bëri thirrje deputetëve të opozitës që të jenë racional, duke i akuzuar për lojëra të ngushta partiake.

“Kuvendi as nuk është i pushtetit as i opozitës. Ligjet janë në interes të të gjithë qytetarëve”, tha ai duke u bërë thirrje që të kthehen në punë sepse për atë paguhen, ndërsa marrin pagë nga qytetarët.

Shtesë e kësaj situate është bllokada e shkaktuar me mbi 32,000 amendamente për 20 ligje nga ana e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, për shkak të mos përkrahjes së ligjit për nënshtetësi nga ana e VMRO-DPMNE-së dhe “Të majtës”.

Sipas Xhaferit, kjo paraqet “ping pong politik”, lojë nga të gjitha anët pa përjashtim.

Grupi parlamentar i VMRO – DPMNE-së, tha se është refuzuar propozimi i tyre që të caktohet seancë e posaçme që të shqyrtohen ligjet për masa financiare në lidhje me pandeminë, ndërsa të marrin pjesë në seancë që të kalojnë edhe ligjet nga pakoja e pestë e masave dhe akuzuan LSDM-në dhe BDI-në se i bllokojnë ligjet.

“Ligjet nga e ashtuquajtura pako e pestë e masave ekonomike nuk janë bllokuar nga VMRO – DPMNE, ata janë bllokuar nga LSDM dhe BDI. Propozimi ynë u refuzua. Sot u bë e qartë kush e bllokon Kuvendin, kush nuk shqetësohet për shëndetin e qytetarëve dhe kush merret me politikë dhe keqpërdorim të krizës shëndetësore”, deklaroi Nikolla Micevski nga VMRO – DPMNE.

Ndaj kësaj ka reaguar deputeti i LSDM-së, Kostadin Kostadinov, i cili tha se VMRO – DPMNE po sillet në mënyrë destruktive dhe të papërgjegjshme në Kuvend, si dhe se kjo parti opozitare me “Të majtën” në marrëveshje me ASH dhe AAA po bllokojnë procese të rëndësishme në Kuvend.

“VMRO DPMNE po keqpërdor situatën me deputetët e infektuar nga Covid-19 dhe deputetët që janë në izolim, që t’i bllokojë të gjitha proceset e rëndësishme për qytetarët”, tha ai.

Koordinatori i grupit parlamentar të ASH dhe AAA, Skender Rexhepi deklaroi se me vet faktin se takimi koordinues te Xhaferi nuk ka zgjatur më shumë se 10 minuta, shumica qeveritare ka treguar se nuk ka gatishmëri që të gjenden zgjidhje të përbashkëta për dalje nga situata e krijuar me bllokimin e Kuvendit.

“Unë personalisht u propozova dy koordinatorëve të shumicës që të debllokohet Kuvendi me atë që të gjejmë zgjidhje për propozim ligjin për nënshtetësi. Propozimi im ishte dhe do ta them tani qartë, pasi në deklaratat për media të gjithë përfaqësuesit e pushtetit dhe shumicës thanë se kanë propozim ligj për nënshtetësi dhe do ta dorëzojnë versionin e tyre, të dalim me një propozim ligj i cili do të jetë në shërbim të atyre qytetarëve që kanë nevojë nga nënshtetësia”, tha Rexhepi.

Exit mobile version