Banorët prej vitesh u dërgojnë letra institucioneve kompetente dhe protestojnë masivisht me kërkesa për shfuqizimin e koncesionit, pasi kanë frikë nga përmbytjet dhe ndotja e ujërave nëntokësore. Javën e kaluar, dy ditë bllokuan autostradën Miladinovc-Shtip, me pretendimin se përkundër inspektimeve të vazhdueshme të Inspektoratit për mjedis jetësor, koncesioneri në mënyrë të pakontrolluar transportonte rërë nga lokacioni, transmeton Portalb.mk.
“Qeveria ka vendosur të ndalojë përkohësisht shfrytëzimin e zhavorrit nga lumi Pçinja në zonën e fshatit Konjarë e Mesme përderisa zgjat inspektimit i Inspektoratit Shtetëror për Mjedisin jetësor për shkak të indikacioneve të popullsisë që nxjerrja e zhavorrit kryhet jashtë koncesionit dhe përderisa nuk sillet “vendimi në përputhje me gjetjet e inspektoratit kompetent”, njoftuan nga Qeveria.
Pas gjetjeve fillestare të Entit për Punë Hidrometeorologjike, që kufijtë e koncesionit janë në zonën e përmbytjes së lumit Pçinja, Inspektorati Shtetëror për mjedis jetësor (IShMJ) njoftoi se do të bëhet një elaborat i ri.
IShMJ angazhoi një kompani të autorizuar gjeodezike dhe, pas disa përpjekjeve të pasuksesshme muajin e kaluar, më në fund bëri matjet në terren në vendin në Konjarë të Mesme, ku me vite të tëra bëhet gërmimi i rërës dhe zhavorrit.
Por, përkundër verifikimeve të vazhdueshme të Inspektoratit, popullata lokale paralajmëron se koncesioneri po nxjerr rërë dhe zhavorr në mënyrë të pakontrolluar. Ata në dy raste javën e kaluar, bllokuan autostradën Miladinovc-Shtip dhe kërkuan ndërprerjen e gërmimit derisa nuk deklarohet Inspektorati.
Rasti i gërmimit sipërfaqësor të rërës dhe zhavorrit në Konjarë të Mesme, Komuna e Petrovecit, është në fokusin e mediave, veçanërisht për shkak të kohezionit dhe reagimeve të ashpra të popullatës lokale që e kundërshton atë. Për vite me radhë, banorët u dërgojnë letra institucioneve kompetente dhe protestojnë masivisht, duke kërkuar heqjen e koncesionit. Protestat nuk u qetësuan as gjatë pandemisë.