Përfitimet nga vaksina e AstraZeneca-s janë më të mëdha se rreziqet, vlerësojnë nga Rregullatori evropian

Autoritetet në shumë vende po përballën me dilema të forta ndërsa numri i rasteve me koronavirus po rritet. Ata po përpiqen t’i japin përgjigje pikëpyetjeve nëse duhet të nxisin imunizimin me vaksinën e AstraZeneca-s, që dihet se shpëton jetë, apo të pezullojnë përdorimin e saj për shkak të njoftimeve se shkakton mpiksje gjakut tek disa persona, raporton VOA. Pikëpyetje që vazhdojnë të ngrihen edhe pse enti rregullator evropian thotë se nuk ka “asnjë të dhënë” se këto raste janë shkaktuar nga vaksina.

Kjo çështje ka krijuar një ndarje të fortë në të gjithë globin, duke i detyruar autoritetet të vlerësojnë rreziqet shëndetësore që sjell vendimi për ndalimi e vaksinës në një kohë kur shumë vende, veçanërisht në Evropë vazhdojnë përpjekje për të kapërcyer pengesat logjistike dhe hezitimin e popullatës së tyre për t’u vaksinuar.

Suedia ishte e fundit që iu bashkua një grupi në rritje vendesh të Bashkimit Evropian që kanë zgjedhur kujdesin mbi shpejtësinë, edhe pse kryetarja e Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) tha se institucioni që ajo drejton është “plotësisht i bindur” se përfitimet që sjell vaksina e AstraZeneca-s janë më të mëdha se rreziqet që ajo paraqet.

Të martën Emer Cooke vuri në dukje se çdo vit mijëra njerëz në të gjithë BE-në zhvillojnë tromboza për arsye të ndryshme dhe se nuk kishte njoftime për një numër të rritur rastesh të mpiksje të gjakut në studimet klinike të vaksinës së AstraZeneca-s. Megjithatë tha ajo, ekspertët do të kryejnë një “analizë shumë të rreptë” dhe do të japin një rekomandim të enjten.

Evropa ka luksin të zgjedhë mes disa lloj vaksinash, por vendimi megjithatë nuk është i lehtë në një kontinent, ku rastet me korovirus po rriten sërish dhe ku fushata e vaksinimit ka ngecur vazhdimisht.

Zgjedhja mund të jetë edhe më e problematike gjetkë sepse shumë vende po mbështeten fort tek vaksina e AstraZeneca-s, e cila nuk është e kushtueshme dhe është më e lehtë për t’u ruajtur krahasuar me të tjera. Vaksina deri më tani ka luajtur një rol të rëndësishëm në nismën globale për të siguruar vaksinat për vendet e varfëra, e njohur si “COVAX”.

Vështirësitë lidhur me vendimin u shfaqën qartë në Tajlandë, vendi i parë jashtë Evropës që pezulloi përdorimin e vaksinës së AstraZeneca-s, por më pas ndryshoi qëndrim të martën kur kryeministri i vendit mori dozën e parë të saj.

Ka njerëz që janë të shqetësuar“, tha Prayuth Chan-ocha pasi mori të vaksinën. “Por ne duhet t’u besojmë mjekëve, t’u besojmë profesionistëve tanë të fushës”.

Shumë vende të tjera në Azi gjithashtu kanë lënë menjanë shqetësimet, megjithëse këtë javë Indonezia ndaloi përdorimin e vaksinës, duke thënë se do të priste për një raport të Organizatës Botërore të Shëndetësisë mbi këtë çështje.

Krahas Agjencisë Evropiane të Barnave, kompania AstraZeneca dhe OBSH-ja kanë thënë se nuk ka prova se vaksina mbart rreziqe në rritje për mpiksje të gjakut. Sipas kompanisë mes më shumë se 17 milionë njerëzve të vaksinuar në të gjithë BE dhe në Britani, ka pasur vetëm 37 njoftime për mpiksje të gjakut.

Kjo është shumë më e ulët sesa pritet të ndodhë natyrshëm tek popullata e përgjithshme në këto shifra dhe është e ngjashme me vaksinat e tjera të autorizuara kundër COVID-19-s“, tha prodhuesi anglo-suedez i ilaçeve.

Mes një rrëkeje vendimesh që po hedhin dyshime mbi vaksinën e AstraZeneca-s pavarësisht garancive që japin ekspertët mbi sigurinë e saj, opinioni publik u vu sërish në provë që të besojë shkencën mbi dyshimet.

Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabic tha se vendi i saj nuk do të ndalojë përdorimin e vaksinës së AstraZeneca-s dhe këmbënguli se “për fat të keq, disa njerëz kanë dyshime për shkak të një fushate negative”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button