Belgjika arrestoi Shalën në bazë të aktakuzës së Gjykatës Speciale

Autoritetet e Belgjikës arrestuan Pjetër Shalën, në bazë të fletarrestimit dhe aktakuzës së konfirmuar për krime lufte, të lëshuar nga gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës, raporton REL.

Dhomat e Specializuara, me seli në Hagë, bënë të ditur se Shala do të mbahet i ndaluar në Belgjikë, në pritje të transferimit në objektin e paraburgimit në Hagë. Sipas komunikatës së lëshuar, së shpejti do të publikohen edhe informacione për nxjerrjen e aktakuzës ndaj tij.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, hetojnë krimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit ishte senatori zviceran, Dick Marty. Gjykatësi i procedurës paraprake ka konfirmuar tashmë aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Ata gjenden në paraburgim në Hagë qysh në nëntor të vitit të kaluar dhe janë deklaruar të pafajshëm.

Përpara tyre është arrestuar dhe dërguar në Hagë edhe Salih Mustafa, ish-epror i UÇK-së. Aktakuza e ngarkon atë për kryerje të krimeve të luftës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button